Berat, vidhen kambanat dhe ikonat e kishave

Jun 14, 2011 | 11:02

BERAT – Vidhen tri kisha në Berat brenda harkut të 10 ditëve. Burime nga Mitropolia bënë të ditur se në këto kisha janë vjedhur sende me vlera të mëdha. At Kristaqi, përfaqësues i Mitropolisë me qendër në Berat, u shpreh se persona ende të paidentifikuar nga policia kanë hyrë në Kishën e Kozares, ku kanë vjedhur kambanën e madhe të saj 300-vjeçare, e cila peshon deri ne 80 kilogram dhe është e përbërë nga material tunxh, bakër dhe një përqindje floriri. Është hera e dytë që vidhet kjo kishë dhe autorët janë ende të lirë. Burime nga Mitropolia bënë të ditur se këto monumente kulti nuk kanë rojë. Kjo bën që hajdutët të hyjnë lehtësisht dhe të vjedhin në to ikonat dhe gjithçka tjetër me vlerë. Edhe kisha e Vokopolës është vjedhur ku hajdutët kanë marrë tri ikonat e saj. Gjithashtu, persona të paidentifikuar janë futur edhe në ambientet e Kishës së Shën Mëhillit. Por ata kanë vjedhur vetëm një sasi parash që besimtarët kishin hedhur gjatë lutjeve të tyre. Policia e Beratit bëri të ditur se ka nisur hetimet për të tria ngjarjet, por deri më tani nuk ka mundur të identifikojë autorët e këtyre vjedhjeve.                          d.xh

© Panorama.al

Te lidhura