Berat, sëpatë gruas nga xhelozia

Jul 5, 2012 | 15:16

Sëpatë gruas nga xhelozia. Një 35-vjeçare nga Lapardhaja e Beratit u qëllua për vdekje nga i shoqi, pas një grindjeje mes tyre. Krimi ndodhi në ambientet e një serre, ku punonin burrë e grua, prindër të dy fëmijëve të mitur. Burime të Policisë së Beratit konfirmuan dje se arrestuan në flagrancë shtetasin Sokol Gjata, 40 vjeç, i akuzuar për ekzekutimin e gruas 35-vjeçare, Alma Gjatës. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në fshatin Lapardha 2, të komunës Otllak, pak kohë pasi çifti kishte dalë nga shtëpia për t’u kujdesur për të mbjellat brenda serrës. Burime nga vendi i ngjarjes treguan për Policinë se, pasi ra vapa e ditës, burrë e grua u nisën drejt serrës në pronësi të tyre, e cila ndodhet rreth 1 kilometër larg shtëpisë. Dëshmitarë thanë se kanë dëgjuar fillimisht zhurma e nuk ka zgjatur shumë kur kanë gjetur të pajetë gruan e masakruar. Nga ana e Policisë së Beratit pohohet se informacioni për krimin brenda familjes u mor rreth 20 minuta më vonë. Menjëherë ekspertët e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes, ku dhe u gjet në serrën e familjes Gjata viktima e pajetë. Nga verifikimi i parë në vend është konstatuar vdekja e saj, pasi është qëlluar disa herë me mjete të forta e të mprehta në trup dhe në kokë. Ajo dyshohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që trupi pa jetë u përcoll në morgun e spitalit. Pak metra larg serrës është ndaluar dhe autori i dyshuar i këtij krimi të rëndë, i cili është bashkëshorti i viktimës, Sokol Gjata. Ky i fundit mësohet se ka pranuar krimin, por nuk ka rrëfyer asgjë duke shfaqur hapur shenja të rënda të tronditjes. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Beratit, ku pritet të japë dëshminë e tij mbi shkaqet që e shtynë drejt flijimit të së shoqes. Dëshmitë e para nga të njohur të çiftit dhe bashkëfshatarë të tyre kanë zbardhur se mes 40-vjeçarit dhe të shoqes kishte nisur një grindje prej disa ditësh. Ndonëse nuk është e konfirmuar, dyshohet se shkak është bërë xhelozia e burrit ndaj nënës së dy fëmijëve. Edhe dje pasdite ata janë nisur për në punë, pasi kishin debatuar për herë të fundit mes tyre. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur gjatë rrugëtimit prej rreth 1 kilometri deri në serrë, por sapo kanë arritur aty janë dëgjuar thirrjet për ndihmë të 35-vjeçares. “Më ndihmoni se do të më vrasë”, ka qenë thirrja e saj, thanë dëshmitarët për Policinë, por ishte shumë vonë, pasi goditjet e sëpatës ia kanë marrë jetën në vend. Bashkëfshatarët e çiftit e kanë gjetur të vdekur gruan, duke lajmëruar Policinë për krimin.

Precedenti, burri vrau të shoqen dhe veten
U duk sikur u rralluan rastet e krimit në familje, pasi që nga fundi i majit të këtij viti nuk u shënuan ngjarje të tilla në vend. Rasti më i fundit rezultonte ai i Sarandës, më 31 maj, kur 72-vjeçari Ismail Lelaj qëlloi me pistoletë ndaj gruas 55 vjeçe e më pas vrau veten. Nga hetimet e këtij krimi të dyfishtë u dyshua se bëhej fjalë për shkaqe xhelozie, nisur dhe nga diferenca e madhe e moshës mes çiftit të bashkëshortëve.

Autori i tronditur shtyn dëshminë
Policia e Beratit njoftoi dje se Sokol Gjata u kap disa metra larg vendit ku kishte kryer vrasjen e së shoqes, por nuk dihet nëse ai ka tentuar të largohet apo ka pritur aty të mbërrinin forcat e Policisë. Vetëm dëshmia e tij do të zbardhë krimin në familje. Por, tronditja e thellë pas krimit ka bërë që 40-vjeçari të mos flasë, ndaj grupi hetimor e ka shtyrë seancën e marrjes në pyetje të të akuzuarit për vrasjen e gruas. Njëkohësisht dëshmia e tij pritet të japë detaje mbi dyshimet për xhelozi.

BERAT/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura