Berat, rrugët e qarkut më të shkatërruar në vend

Aug 22, 2011 | 10:40

BERAT – Qarku i Beratit ka rrugët më të shkatërruara në krahasim me zonat e tjera të vendit. Të gjitha zonat malore nuk mund të depërtohen normalisht, pasi në rrugët që të shpien drejt tyre nuk është vënë dorë prej të paktën 40 vitesh. Në gjendje më të rëndë janë zonat malore të Skraparit dhe komunat Vërtop e Tërpan në Berat. Si pasojë, ato janë bërë shpesh burim aksidentesh, ndërsa kanë lënë të izoluar dhe në mjerim banorët e fshatrave të ndryshme. Të tilla janë rrugët e fshatrave të Skraparit, si Potomi, Çepani apo Leshnja. Rrugët në këto zona me terren të thyer kanë dalë jashtë funksionit. Rrezikshmëria e tyre më e madhe qëndron në faktin se ato kalojnë pranë kanioneve. Jo më larg se një javë më parë, aksidenti me pasojë vdekjen e 6 të rinjve në Çorovodë e konfirmoi këtë fakt. Kjo zonë me humnera të mëdha shoqërohet dhe nga ujërat e shtratit të lumit Osum dhe në çdo rast daljeje nga rruga të mjeteve, nuk ka asnjë shpresë për mbijetesë. Por, nëse kthehesh në zona të tjera, siç janë një pjesë e rrugëve në Vërtop apo Tërpan, edhe pse kalojnë nëpër fusha, rreziku i aksidenteve është njësoj i pranishëm. Kryetari i komunës Vërtop, Flamur Balliu, u shpreh për gazetën se gjendja në këto zona është tejet e rënduar dhe në stinën e dimrit ato bëhen të pakalueshme. “Ne si komunë nuk disponojmë fonde të veçanta që të ndërhyjmë për ndërtimin e infrastrukturës në këto zona”, u shpreh ai.                     d.xh

© Panorama.al

Te lidhura