Berat, i bie infarkt në rrugë, vdes efektivi i policisë

Aug 8, 2011 | 9:51
Polici, Sajmir Mukli

BERAT – Vdes nga një infarkt në mes të qytetit efektivi i policisë. Sajmir Mukli, 38 vjeç, me detyrë oficer i policisë në Komisariatin e Beratit ndërroi jetë vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga banesa e tij në lagjen “Muzakaj”. Familjarët deponuan se 38-vjeçari nuk ishte ndierë mirë dhe ishte nisur për në farmacinë e qytetit për të marrë ilaçe, por nuk ka mundur të arrijë deri aty. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se viktima ishte ndierë keq sapo ishte afruar tek stacioni i autobusit. Ai kishte tentuar t’i afrohej një peme për t’u mbajtur, por nuk ka arritur dot deri aty, pasi është rrëzuar përtokë. Kalimtarët janë munduar t’i japin ndihmën e parë duke e transportuar menjëherë në spitalin e qytetit. Por, mjekët kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë, ndaj tentativa për t’i dhënë ndihmën e parë ishte e kotë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 09:00. Ndërsa dje, në ceremoninë mortore të tij morën pjesë përveç të të afërmve edhe dhjetëra efektivë të Policisë së Beratit.                     d.xh

© Panorama.al

Te lidhura