BERAT- Presidenti i UFO-s në Berat, Astrit Veliaj, u dënua dje me 1 milion lekë gjobë për “shkatërrim prone dhe ndërtimi pa leje”. Vendimi u dha brenda së njëjtës ditë kur dha konkluzionet e saj edhe Prokuroria e Rrethit. Kjo e fundit i kërkoi Gjykatës dënimin me 1 milion lekë gjobë të presidentit të universitetit UFO, Astrit Veliaj. Gjykata e Beratit është tërhequr pas pretencës së dhënë dhe disa minuta më pas vendosi të lërë në fuqi kërkesën e Prokurorisë. Hetimi nisi pas denoncimit të bërë nga Bashkia e qytetit të Beratit për “shkatërrim të pronës dhe ndërtime pa leje” në zonën tampon. Prokuroria menjëherë filloi hetimin. Godina ekzistuese për të cilën nisi edhe debati me Bashkinë ka qenë Materniteti i qytetit të Beratit. Me transferimin e saj në spitalin rajonal, godina po kërkohej për t’u kthyer në universitet. Punimet nisën pa lejen e Bashkisë. Ndonëse u përball disa herë me Policinë Bashkiake, Veliaj nisi ndërtimin duke e shndërruar ish-Maternitetin në një universitet. Pas vendimit të dhënë ditën e djeshme në gjykatë, nuk dihet ende se si do të veprohet me godinën për të cilën nisi edhe konflikti. d.xh











