
Sekretari i programit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi dje se gjatë këtij sezoni turistik janë shënuar shumë probleme për të cilat qeveria nuk u kujdes. “Sezoni turistik veror po hyn në fazën e tij përmbyllëse dhe treguesit e drejtpërdrejtë e të tërthortë konfirmojnë, për fat të keq, për një tjetër sezon turistik të dështuar. Në të vërtetë është në vazhdën e dështimeve të përsëritura të qeverisjes së 7 viteve të fundit”. “Ky është sezoni turistik i plazheve të zbrazëta. Bosh plazhet e Durrësit e të Golemit, bosh plazhet e Vlorës e të Orikumit, bosh hotelet e Sarandës e të Divjakës”. Në emër të PS, Beqja thekson se ka një lajm të mirë për shqiptarët dhe kjo vjen nëpërmjet programeve të PS. “Kjo është vera e fundit në sundimin e pushtetit të Saliut. Verën e ardhshme vendi do të drejtohet nga qeverisja e Partisë Socialiste. Ne kemi një plan për rilindjen e turizmit shqiptar”.











