
TIRANE- Partia Socialiste konfirmoi edhe njëherë sot qëndrimin e saj për të rishikuar të gjitha kontratat e partneritetit publik – privat dhe se do të kërkojë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve.
“Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve.”- tha Beqja.
Në një deklaratë për shtyp, sekretari për programin, Ilir Beqja akuzoi kryeministrin, Sali Berisha se po sulmon opozitën dhe kryetarin e saj, ndërsa vazhdon të mos merret me problemet e mëdha të vendit.
Ai i kërkoi kryeministrit, Berisha të lërë akuzat ndaj opozitës dhe të flasë për rendin publik, korrupsionin në shërbimin doganor dhe në prokurimet publike, për borxhin publik, etj.
Ndërsa falënderoi të gjithë investitorët seriozë në vend, duke u siguruar atyre mbështetje, Beqja theksoi se PS me qeverisjen e saj të nesërme do të jetë krejt ndryshe nga modelet si ai i bllokimit që i bën Saliu kredisë së KFW-së për linjën e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë.
© Panorama.al











