
Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, se opozita po tremb investitorët e huaj me zotimin se do të anulojë të gjitha koncesionet me ardhjen e saj në pushtet. Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, u shpreh se kreu i qeverisë duhet të flasë për korrupsionin në dogana, në prokurimet publike dhe dështimin në rritjen e borxhit publik. Socialistët me anë të Ilir Beqes rikonfirmuan edhe një herë qëndrimin se të gjitha kontratat e dhëna nga qeveria aktuale në kundërshtim me interesat kombëtare do të zhbëhen nga PS-ja me ardhjen e saj në pushtet. Sekretari për Programin theksoi se qeverisja socialiste do të ketë një tjetër qasje me investitorët e huaj dhe me investitorët seriozë, gjë që do të mundësohet nga programi “Për një Rilindje Shqiptare”. “Dhe për të ardhur te koncesionet e HEC-ve apo të sektorëve të ndryshëm. Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuara si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar. Por, sot dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin politik të PS të përcaktuar në programin “Për një Rilindje Shqiptare”: “Ne do të rishikojmë të gjitha kontratat e partneritetit publik/privat dhe do të kërkojmë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve. Po, Po! Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve”, theksoi Beqja.











