
Pas përmbledhjes me ese mbi Kosovën e pasluftës, shkrimtari kosovar Beqë Cufaj vjen me një libër të ri për lexuesin gjermanofon. Bëhet fjalë për romanin “Projekt@Party”, ku sërish trajtohen çështje të rëndësishme mbi aktualitetin kosovar. Libri flet për një profesor universitar gjerman, i cili braktis punën dhe vendin e tij për të ndihmuar në Kosovë. Përballja e akademikut me gërmadhat që ka lënë konflikti i armatosur shqiptaro-serb, me njerëz që ngarendin duke qarë në kërkim të fijeve të shkëputura familjare, konfrontimi me një botë aq hektike, të pasigurt, të përhumbur labirinteve të egra të luftës për mbijetesë e tronditin profesorin deri në gjunjëzim mental e shpirtëror. Tronditje që Cufaj e përshkruan me një dinamikë përpirëse, ashtu siç e analizon shkëlqyeshëm edhe përballjen e dy botëve paralele në Kosovën e pasluftës (edhe të tashme deri diku); atë të organizatave supernacionale dhe OJQ-ve të shumta, si dhe atë të vendësve që presin shpëtim prej të parave. Përmes këtij romani, Cufaj tenton të përshkruajë anatominë e funksionalitetit të emisarëve në Kosovë e gjetiu. Është një thirrje për vetëdijesim drejtuar organizatave globale që delegojnë njerëz gjithandej, pa marrë parasysh përgatitjen e tyre në lidhje me kulturat, mentalitetet dhe rrethanat e vendeve ku i nisin. Me këtë rast, romani del si një pasqyrë nga ku edhe mund të identifikohen dallimet dhe përputhjet ndërmjet mentalitetit kosovar dhe atij “evropian”. Romani është përkthyer nga Joachim Rohm dhe është botuar nga shtëpia botuese “Secession” me seli në Zürich dhe Berlin. Promovimi i romanit do të bëhet në Literaturhaus të Stuttgart-it, të mërkurën më 12 shtator 2012, duke filluar nga ora 20:00. Promovimin do ta udhëheqë përkthyesi i romanit, Joachim Röhm, ndërsa aktorja dhe regjisorja e njohur gjermane, Petra Weimer, do të lexojë pjesë nga romani. Duke filluar nga 3 shtatori, libri pritet të shpërndahet nëpër libraritë e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë. Po kështu pritet që Cufaj ta prezantojë romanin e tij përmes leximeve në qytete të ndryshme të tri shteteve gjermanofolëse.











