Arian Beqaj ka mbetur sërish pa skuadër. Portieri 35 vjeç i Kombëtares shqiptare nuk ka mundur të sistemohet te skuadra Ermis Aradipu, edhe pse është bërë pjesë de facto e këtij klubi që prej janarit të këtij viti. Arsyeja është kriza e rëndë që ka zënë këtë klub, e cila ka vijuar me largimin në masë të lojtarëve. Një prej tyre ka qenë edhe Beqaj, i cili nuk ka pritur më gjatë por është vënë menjëherë në kërkim të një skuadre të re për sezonin e ri futbollistik, duke qenë se ka pak kohë në dispozicion. Sipas asaj që raportojnë mediat qipriote, edhe pse grupi i aksionerëve të klubit ka bërë një mbledhje urgjente ditën e shtunë, ata nuk kanë rënë dakord për zgjidhjen e kundërshtive, ndaj Ermis rrezikon seriozisht edhe regjistrimin për sezonin e ri.










