Arian Beqaj ndihet me fat që vazhdon të luajë futboll. Portieri kosovar i Kombëtares ka kaluar në vitet e fundit kohë të vështira, nisur nga dëmtimet e shpeshta, por edhe nga mosaktivizimi te Ermis në Qipro për problem dokumentacioni.Dje, në konferencën për shtyp nga ambientet e hotel “Dyrrah”, Beqaj foli për sfidën e radhës dhe të ardhmen e tij. Ai e cilësoi Bosnjën favorite, por nga ana tjetër beson se Shqipëria i ka shanset për pikë.
Arian, fakti që Bosnja luan më parë me Rumaninë dhe tri ditë më pas me Shqipërinë, mund ta quajmë favorizuese për ne?
Në pamje të parë duket si favorizues ky fakt. Megjithatë, nisur nga eksperienca që kemi, mendoj se nuk është ndonjë faktor i rëndësishëm. Në praktikë, kjo luan një rol shumë të vogël.
Bosnja na ka marrë një pikë në “Qemal Stafa”. E mendoni se mund të jetë sërish një ndeshje pa fitues?
Nuk mund të bësh parashikime, por mendoj se favorit në këtë ndeshje është Bosnja. Ata luajnë në fushën e tyre dhe ndaj nesh janë në një moment që u duhet patjetër fitorja. Kjo është një ndeshje kyçe, sepse si për ne, ashtu edhe për Bosnjën, çdo rezultat i kënaqshëm duket një hap i madh drejt kualifikimit.
Kush mund ta bëjë diferencën në këtë ndeshje?
Në skuadrën tonë, diferencën e bën grupi. Në rast se ne luajmë si ndaj Bjellorusisë, kemi mundësi që të marrim pikë. Bosnja është një ekip me kualitete dhe emra, si Pjaniç, Xheko, Ibiseviç. Këta janë futbollistë të cilët mund të të ndëshkojnë në çdo moment.
Ju keni shumë vite në Kombëtare. Mendoni se ky është momenti i duhur për të bërë hapin e madh?
Po, ky është momenti që ne të bëjmë një hap më të madh. Natyrisht, është një ndeshje ku ekipi duhet të shtrëngohet më shumë. E rëndësishme është që ne nuk duhet ta vëmë veten përpara një presioni të tillë, ku të mendojmë se na duhet patjetër fitorja. Kjo sfidë ka shumë rëndësi për ne dhe një barazim do të ishte shumë mirë, por s’duhet të jemi nën presionin e rezultatit.
Keni ndonjë plan se kur do t’i thoni lamtumirë Kombëtares?
Të them të drejtën, jam me fat që luaj akoma. Në momentin që do të shikoj se ekipi kombëtar nuk ka nevojë për mua, atëherë do të tërhiqem vetë.
Nëse do të ishit trajner, do të zgjidhnit mes eksperiencës së Beqajt apo talentit të Ujkanit, portierin titullar në Bosnjë?
Unë këtë periudhë nuk kam luajtur, për shkak të problemeve që kam pasur me dokumentacionin. Ujkani është një portier i talentuar dhe porta është e sigurt, pavarësisht se kjo është një ndeshje delikate dhe ambienti në Zenicë mund të mos jetë favorizues. Besoj se Shqipëria nuk do të ketë probleme me portën edhe për shumë vite të tjera. Unë nuk e kam problem nëse qëndroj në stol, sepse rëndësi ka që jam afër ekipit dhe ta ndihmoj.
Karrierën do ta mbyllni në Qipro?
Patjetër që e ardhmja ime është e destinuar për ta mbyllur karrierën në Qipro. Kam disa vite që luaj aty dhe tashmë gjërat i mendova ndryshe, sepse jam me familjen dhe nuk desha të lëvizja.
Durrës/ JORGIS MEMO











