
Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Janosh Martonji për zhvillimet e deritanishme të dialogut, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Stefanovic ka thënë se Beogradi është i hapur për vazhdimin e dialogut dhe se ka qasje konstruktive në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga të dyja palët”, thuhet në komunikatën që ka bërë sot publike Qeveria e Serbisë.
Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Dy shtetet kanë arritur disa marrëveshje, por kanë ngecur në çështjen e përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
Shteti serb këmbëngul që Kosova të përfaqësohet në nismat dhe forumet rajonale nën rezolutën 1244 të OKB-së, ndërkohë që autoritetet kosovare insistojnë në përfaqësimin e saj si shtet. Stefanovic dhe Martonji janë takuar në Budapest.
© Panorama.al











