PRISHTINE- Zyra e zëvendëskryeministrit të parë, Behxhet Pacolli ka njoftuar se njohja e 80 për shtetin e Kosovës ka ardhur nga Republika e Beninit. Njohja nga Benini i është dorëzuar sot zëvendëskryeministrit Pacolli nga vet presidenti i këtij shteti, Yayi Boni.
“Kjo njohje është rezultat i aktiviteteve të vazhdueshme lobuese të zotit Pacolli në kuadër të diplomacisë së tij në shtetet veq e veq. Gjatë ditës ju dërgojmë edhe notën verbale të njohjes”, njofton zyra e zëvendëskryeministrit.
Republika e Beninit kufizohet me Togon, Nigerinë, Burkina Fason dhe Nigerin. Kryeqyteti i Beninit është Porto Novo. Benini ka një sipërfaqe prej 110 mijë kilometrash, me rreth 9 milionë banorë.
Aktivitetet lobuese të zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli thuhet se do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Më 16 gusht Kosova është njohur edhe nga dy vende afrikane, Republika e Guinesë dhe Republika e Nigerit. Tashmë janë bërë 80 njohje, kurse drejtuesit e institucioneve kanë paralajmëruar se do të ketë edhe tjera. (kosovapress)
© Panorama.al











