
Ndërsa punimet për pallatin e ri shumëkatësh në lagjen “Partizani” vazhdojnë edhe një ditë, pasi bektashinjtë ngritën zërin për t’i ndalur ato, sërish punëtorët kanë gjetur eshtra të baballarëve të cilët prehen nën tokën që deri në mesin e shekullit të XX ishte teqe dhe tyrbe.Mbasi kanë mbledhur eshtrat e tre baballarëve që prehen nën këtë tokë, sekretari i Teqes së Gjyshatës Bektashiane, Olsi Karaj, në emër edhe të kryegjyshatës, ka depozituar paraditen e së mërkurës në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kallëzimin për veprën penale të “dhunimit të varreve”, parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal. Sipas Karajit, rreth një javë më parë, me vendim të KRRT-së në Elbasan kanë nisur punimet për ndërtimin e një pallati shumëkatësh në lagjen “Partizani”, në pronën që me dokumente të rregullta i përket Gjyshatës Bektashiane. Në këtë tokë, ku tashmë është hapur gropa për t’u ndërtuar pallat në vitet 1800 deri në vitin 1956, ishte teqeja më e madhe e Elbasanit, si dhe tyrbja e saj, e ndërtuar nga Baba Hamiti dhe mbante pikërisht emrin e këtij të fundit. Sipas Karajit “veç depozitimit të kallëzimit penal për veprën penale të dhunimit të varreve, Gjyshata Bektashiane në Elbasan, e mbështetur edhe nga Kryegjyshata në Tiranë, kanë kërkuar në Prokurori që të pezullohen punimet deri në vendimin që do të marrë Gjykata e Lartë, ku edhe e ka çuar kërkesën Gjyshata Bektashiane në Elbasan”. Në muajin shkurt të këtij viti, Gjyshata Bektashiane, pasi është njohur me vendimin e marrë nga Bashkia për ndërtimin e një pallati në vendin ku ndodhej më parë Teqeja e Baba Hamitit si edhe tyrbja, edhe pse kishte humbur një sërë procesesh gjyqësore, e çoi çështjen deri në Gjykatën e Lartë. “Në Gjykatën e Lartë kemi depozituar të gjitha dokumentet e marra nga Arkivi i Shtetit, ku thuhet se kjo pronë i përket gjyshatës bektashiane, madje kemi dërguar edhe aktin e ekspertimit të realizuar nga ekspertë, ku edhe një herë tregohet se kjo pronë i përket Gjyshatës”, thotë Karaj. Pas daljes në sipërfaqe të eshtrave në tokën që vazhdon të gërmohet për t’u ngritur godina e re, Gjyshata Bektashiane mësohet se do të rivarrosë tre baballarët që kanë shërbyer në këtë Teqe, të cilët janë Baba Hamiti, Muharremi dhe Baba Rizai.
Teqeja
Teqeja e Baba Hamitit gjatë viteve të komunizmit u kthye në çerdhe dhe kopsht. Ajo ka qenë një ndërtesë 2-katëshe deri në vitin 1992 e më pas është prishur dhe është blerë atëherë nga një qytetar nga Elbasani, i cili e ka shitur tokën. Pronari i fundit i saj ka vendosur që në këtë tokë të ndërtojë një pallat shumëkatësh. Përfaqësuesit e Gjyshatës së Bektashinjve kanë çuar kërkesë në të gjitha instancat kompetente shtetërore, me qëllim që të ndërpriten punimet për ndërtimin e pallatit deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Shkallës së Lartë.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











