Maxhoranca e djathtë duket e vendosur që vitin e ardhshëm ta zgjedhë e vetme Presidentin e Republikës. Deputeti i PD-së, Fatos Beja, u shpreh dje se Kushtetuta aktuale ia lejon këtë maxhorancës, pasi kërkohen vetëm 71 vota në raundin e fundit. Sipas tij, në këtë situatë, opozita nuk ka më asnjë rol çfarë të luajë. Beja shprehet se opozita ka dalë jashtë loje me politikën e saj të bojkotit dhe opozitarizmit jashtë institucioneve. “Kjo pozitë, po të ishte më racionale në shfrytëzimin e numrave që ka në Parlament, nga përvoja që kam, jam i sigurt që do të kishte mundësi të ndikonte në kandidaturat e deritanishme. Ka ende mundësi ta bëjë në të ardhmen. Nuk kam parasysh Presidentin, flas në përgjithësi për kandidaturat. Ndërsa Presidenti përcaktohet nga maxhoranca me Kushtetutën që kemi sot në fuqi”, tha Beja për “AS”. E vetmja fushë e lojës e hapur për opozitën janë kandidaturat me tre të pestat, që kërkojnë më shumë se 84 vota në Kuvend. Për këtë, deputeti Beja fton në bashkëpunim opozitën të japë kontributin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe krijimin e Gjykatës Administrative. “Zgjedhja e Avokatit, krijimi i Gjykatës Administrative dhe në të gjitha ligjet e tjera, është i domosdoshëm bashkëpunimi për të pasur rezultate të shpejta, të dukshme, të vlerësueshme nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai. Duket se do të jetë pista e vetme ku do të lëshojë pe maxhoranca për opozitën. Ligjet me tre të pestat, të domosdoshme për reformat e integrimit, do të jepen si koncesion për ato pak kandidatura të krerëve të institucioneve që kërkojnë tre të pestat në Kuvend, që mund t’i propozojë opozita. Deputeti Beja thekson se në rast se në shtator, qëndrimi i PS-së në Parlament do të jetë dekonstruktiv, atëherë Shqipëria nuk do të ketë një raport pozitiv për integrimin nga Brukseli. Përsa i takon Kryesisë së re të PD-së, Beja thotë se 25 anëtarët ishin produkt i votës së Këshillit Kombëtar dhe i cilëson të rinjtë si e ardhmja e partisë. Sipas tij, anëtarët e rinj janë një shkrirje e mirë e kontribuuesve dhe të rinjve të futur pas vitit 2005 në PD. “Aty ka njerëz që janë që nga themelimi, ka njerëz që kanë pasur një kontribut të veçantë me ’97-n e mbrapa, në momentin më të keq të PD-së, ka njerëz që janë angazhuar te PD në 2005-n e prapa. Në çdo zgjedhje ka dhjetëra, mijëra të rinj që futen. Janë 50 mijë të rinj që marrin të drejtën e votës çdo vit, sepse kështu vjen brezi dhe patjetër që ata duan të shohin të përfaqësohen nga breza të rinj”, u shpreh Beja.
RAMA: TË NDRYSHOJË KUSHTETUTA
Kreu i opozitës Edi Rama është shprehur se PS ka gabuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ndërsa ka kërkuar ndryshime të tjera në të. “Të pendohesh do të thotë të kesh bërë një mëkat, të reflektosh do të thotë se ke bërë një gabim. Nuk është përgjigje e lehtë, por mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes së zgjedhjeve të 2009, aq më shumë mund të pranoj përfundimin se në ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do duhej bërë. Kjo është një çështje që i përket një analize të hapur dhe serioze që kemi planifikuar të bëjmë, jo thjesht me njëri-tjetrin, por me një grup të konsiderueshëm kostitucionalistësh dhe ekspertësh”, ka thënë Rama.











