
Falsifikuan dokumentet e identitetit në interes të kombësisë greke, 4 persona në hetim. Policia e Korçës konfirmoi dje zbulimin e rasteve të tjera të ndryshimit të kombësisë nga shqiptare në greke, me qëllim përfitimin e pensioneve nga shteti fqinj.Policia rajonale bëri të ditur se ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Korçës shtetasit: Ilia Janko, 28 vjeç, Dhionis Diamanti, 42 vjeç, nga fshati Dishnicë i Korçës, si dhe çiftin e bashkëshortëve Marjeta dhe Kosta Bracjani, përkatësisht 42 dhe 51 vjeç, nga fshati Lozhan. Sipas hetimeve të policisë, këta persona kanë falsifikuar dokumentet e tyre në zyrat e Gjendjes Civile të komunave Lozhan, Drenovë e Bulgarec të rrethit të Korçës. Hetimet për këto falsifikime kanë filluar nga ana e Interpol Tiranës dhe më pas janë vënë në lëvizje edhe agjentët e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Korçës. Akuza që ngrihet për këta katër persona është ajo e falsifikimit të akteve të gjendjes civile. Sipas hetimeve të policisë, këta persona janë përpjekur të sigurojnë nëpërmjet zyrave të gjendjes civile në komunat ku ata kanë vendbanimin, dokumente që u vërtetojnë një prejardhje të kombësisë greke. Ndërsa më parë një vendim i tillë merrej nëpërmjet gjykatës, tashmë, me rinovimin e dokumenteve që kërkon shteti grek, duhet që ata persona që pretendojnë kombësinë greke të pajisen me certifikata dhe dokumente të tjera. Këto dokumente, para se të dërgohen në Greqi, kalojnë për verifikim në Policinë e Shtetit, si në drejtoritë rajonale të qarqeve, ashtu dhe në Ministrinë e Brendshme. Ky rast i fundit në Korçë është verifikuar në Ministrinë e Brendshme dhe janë konstatuar shkelje e manipulime që kanë vënë në lëvizje si Interpol Tiranën, edhe vetë sektorin e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Korçës, që pas hetimeve kanë vendosur të dërgojnë për ndjekje penale këta katër persona. Mësohet se këta persona jetojnë në Greqi dhe hetimi ndaj tyre ka nisur në gjendje të lirë. Në prill të këtij viti u zbuluan tre raste të tjera të falsifikimet të certifikatave me kombësi greke. Nënë e bir si dhe një shtetas tjetër, të tre nga qyteti i Korçës u identifikuan që kishin siguruar dokument fals, me qëllim përfitimin e pensionit grek në shtetin fqinj.
Precedenti në Sarandë
Një 66-vjeçar bashkë me dy djemtë e tij si dhe një bashkëfshatar i tyre janë vënë në ndjekje penale nga Prokuroria e Sarandës një muaj më parë, pasi falsifikuan kombësinë duke u hequr si grekë. Banues të fshatit Xarrë, ata tentuan të dërgonin në Konsullatën greke këto dokumente të falsifikuara, por pasi u pikasën, ata iu nënshtruan hetimeve me akuzën e falsifikimit të akteve të gjendjes civile.
KORCE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











