
Vendimi i Federatës Botërore të Peshëngritjes nuk është pritur mirë nga nënkampionia e Europës, Romela Begaj. Sportistja kërkon barazi, pasi sipas saj ky sport është individual dhe, si rrjedhojë e kësaj, penalizimet duhen të jenë individuale, pasi për gabimin e dikujt nuk mund të ketë penalizim në masë për gjithë sportistët e tjerë. “Kjo është një gjë shumë e rëndë, jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, pasi prishet imazhi i sportit kryesor në vend. Unë si Romela dhe sportistët e tjerë mbahemi me këtë sport, ushqejmë familjet me të dhe nuk kemi asnjë profesion tjetër. Për mua ky është profesioni i vetëm dhe nuk është faji im për gjendjen ku ndodhemi. I bëj thirrje shtetit, Kryeministrit dhe zotit Basha si sportiste e Tiranës, që të mos më hedhin në rrugë, sepse unë me këtë mbahem. Nëse kjo nuk do të ndodhë, me keqardhjen më të madhe e them se do të konkurroj për një flamur tjetër”, ka thënë ajo.











