Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, i quajti sot të rënda dhe jo normale vonesat në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Në gjykatën e Lartë për një kohë të gjatë po lihen vendet vakante të gjyqtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati. Kjo situatë është e rëndë dhe aspak normale, pasi këtu gjykohen çështje të rëndësishme dhe delikate.”- tha ajo.
Sipas saj, në qoftë se vendet vakante do të ishin plotësuar në kohën e duhur, nga numri total i çështjeve të mbetura për shqyrtim deri tani do të ishin rreth 2500 çështje më pak.
“Duke vlerësuar maksimalisht rolin e Gjykatës së Lartë, si shkalla më e lartë e dhënies së drejtësisë, kërkoj angazhimin e Presidentit të Republikës e dy pushteteve të tjera për të mos lejuar të përsëriten raste të tilla me mbarimin e mandateve të gjyqtarëve të kësaj gjykate”- theksoi Beçaj.
Komentet, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj i bëri gjatë betimit të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi per te cilet me pare kishte dhene pelqimin Parlamenti.
© Panorama.al












