Beçaj: Reforma dhe zbatim të drejtë ligjit

Jul 12, 2011 | 18:05

PRAGE- Kryetaria e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj tha se, sfidat me të cilat përballet aktualisht gjyqësori shqiptar, janë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushteteve, vazhdimësia e reformave si dhe zbatimi i drejtë i ligjeve.

Komentet, kryetarja e Gjykatës së Lartë, i bëri gjatë pjesëmarrjes së saj në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore, të organizuar në Pragë nga Instituti CEELI, nga datat 7 – 9 Korrik 2011.

“Sfidat me të cilat përballet aktualisht gjyqësori shqiptar, janë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushteteve dhe vazhdimësia e reformave legjislative dhe institucionale të sistemit gjyqësor. Shqipëria ka hartuar ndër vite një kuadër ligjor cilësor dhe bashkëkohor në përputhje me standardet evropiane, por për të garantuar një drejtësi efektive nevoitet zbatimi i drejtë i këtyre ligjeve”- tha Beçaj.

Sipas saj, kërkesat gjithmonë e në rritje për dhënien e një drejtësie të shpejtë dhe efektive parashtrojnë nevojën e një riorganizimi të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë si dhe rivlerësimin e rolit të kryetarit të gjykatës, përkundrejt përgjegjësive administrative dhe gjyqësore.

Shqipëria do të jetë vendi i radhës ku do të mbahen punimet e Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta për vitin 2012.

 

© Panorama.al

Te lidhura