Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të mbledhur në Luksemburg, vlerësuan përmes një deklarate situatën postzgjedhore në Shqipëri.Në mënyrë unanime ata shprehim shqetësim për situatën postzgjedhore në Tiranë dhe i kërkojnë maxhorancës dhe opozitës të vendosin urgjentisht dialogun mes tyre. “BE ndoqi nga afër zgjedhjet lokale 2011 dhe shënon se përgjithësisht ato u mbajtën në mënyrë transparente e konkurruese, me gjithë vështirësitë procedurale. Sidoqoftë, situata në Tiranë është një çështje shqetësuese. BE shpreh keqardhje për keqësimin e situatës politike dhe rritjes së tensioneve që pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit”, thuhet në deklaratë. Ministrat e Jashtëm të BE-së shprehen se vendi do të mund të avancojë drejt Unionit vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve të kërkuara, mes të cilave bën pjesë dhe vendosja e një dialogu politik.
“BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës për të vendosur urgjentisht dialogun dhe për të kapërcyer ngërçin e gjatë politik. Një dialog i tillë është i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucionet e saj, duke përfshirë dhe funksionimin e Parlamentit, si dhe avancimin e integrimit europian të vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Edhe përmes kësaj deklarate, BE u kërkon palëve politike në Shqipëri që të ndihmojnë në përmbylljen e procesit zgjedhor të 8 majit. “BE, ndërsa shënon vendimet e Kolegjit Zgjedhor, nënvizon se është thelbësore që procesi elektoral të mbyllet në transparencë, në pavarësi e në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, duke përfshirë këtu edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ. Është po ashtu thelbësore që të gjitha partitë të njohin epërsinë e sundimit të ligjit mbi çdo lloj interesi tjetër. BE bën thirrje ndaj të gjithë udhëheqësve politikë që të mbështesin finalizimin e qetë të procesit zgjedhor, me konstruktivitet dhe me një fokus në të ardhmen europiane të vendit. BE do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni vëzhgues zgjedhor OSBE/ODIHR”, nënvizohet në deklaratën përmbyllëse.
Ashton
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Katerine Ashton, kërkoi dje gjatë një konference për shtyp mbylljen e procesit zgjedhor në Tiranë. “Nuk është surprizë që duam të shohim një përfundim të shpejtë të procesit zgjedhor në Bosnjë e Shqipëri. Në Shqipëri situata është veçanërisht shqetësuese. Ne duam të shohim rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik dhe një fokus të ri mbi reformat”, u shpreh Ashton. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian nënvizoi faktin se BE pret përfundimin me sukses të tç gjithë procesit zgjedhor në vend dhe vetëm pasi BE të marrë rezultatin përfundimtar të këtij procesi, do të nisë bisedimet me qeverinë dhe opozitën.
BE: Bashkëpunim për reformën zgjedhore
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, përmes deklaratës së tyre për Shqipërinë, u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë për një reformë të plotë zgjedhore. “Bashkimi Europian i kërkon qeverisë dhe opozitës që në bashkëpunim me shoqërinë civile të bashkëpunojnë për një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it të dhëna në vitin 2007, 2009 dhe 2011, përpara zgjedhjeve të ardhshme. BE vë në dukje këshillën e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për t`i kërkuar një mendim Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratën e tyre.
Deklarata e Bashkimit Europian
. Zgjedhjet lokale 2011 përgjithësisht u mbajtën në mënyrë transparente e konkurruese, me gjithë vështirësitë procedurale.
. BE shpreh keqardhje për keqësimin e situatës politike dhe rritjes së tensioneve që pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit.
. Thelbësore që procesi elektoral të mbyllet në transparencë, në pavarësi e në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, duke përfshirë këtu edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ. Thelbësore që të gjitha partitë të njohin epërsinë e sundimit të ligjit mbi çdo lloj interesi tjetër.
. BE bën thirrje ndaj të gjithë udhëheqësve politikë që të mbështesin finalizimin e qetë të procesit zgjedhor, me konstruktivitet dhe me një fokus në të ardhmen europiane të vendit. BE do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni vëzhgues zgjedhor OSBE/ODIHR.
. BE i kërkon qeverisë dhe opozitës që, në bashkëpunim me shoqërinë civile, të bien dakord për një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në 2007-n, 2009-n dhe 2011-n, përpara se të deklarohen zgjedhjet e ardhshme.
. BE vë në dukje synimin e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të pyetur Komisionin e Venecias për një mendim se si të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme.
. BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës për të vendosur urgjentisht dialogun dhe për të kapërcyer ngërçin e gjatë politik. Një dialog i tillë është i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucionet e saj, duke përfshirë dhe funksionimin e Parlamentit, si dhe avancimin e integrimit europian të vendit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











