BE: Të nisë dialogu dhe reforma zgjedhore

Jul 20, 2011 | 10:12
Catherine Ashton dhe Stefan Fyle

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, dolën dje me një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë. Deklarata u bë në Bruksel pas takimit të 3-të të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.Në qendër të deklaratës së përbashkët është apeli i institucioneve të larta europiane për kthimin e klimës së dialogut në Shqipëri dhe zhbllokimin e institucioneve të pavarura si Parlamenti. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të BE thuhet se “konstatojmë me shqetësim se ka pasur polemika dhe polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, duke përfshirë edhe vendimin e fundit dhe arsyetimin nga Kolegji Zgjedhor”. “Zgjedhjet në Tiranë treguan se kuadri zgjedhor duhet të reformohet”, theksohet në deklaratë.
“Ne kujtojmë se Këshilli i BE-së më 20 qershor theksoi se mangësitë në kornizën ligjore dhe procesin zgjedhor do të duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, efikase dhe konsensuale nëpërmjet një reforme të plotë zgjedhore, në përputhje me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për këtë qëllim, ne presim vlerësimin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Në këtë kontekst, ne mirëpresim nismën nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, z. Thorbjørn Jagland, duke i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme. Ne presim që kjo të mbështetet nga të gjitha palët në Shqipëri, si pjesë e një përpjekje serioze për të tejkaluar vështirësitë e vërejtura gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, më së fundi në vitin 2011”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Ashton dhe Fyle. Duke e cilësuar të mbyllur debatin politik për zgjedhjet vendore, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian kërkojnë rikthimin e normalitetit në institucione dhe nisjen e punës për reforma. “Tani që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij, është koha që forcat politike në Shqipëri të kapërcejnë bllokimin politik dhe dialogu politik të kthehet në një nivel që do të lejonte funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, sidomos Parlamentit”, vijon deklarata. “Puna në adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, në veçanti 12 prioritetet kyçe, dhe sfida të tjera kryesore duhet të ndiqen në mënyrë efektive dhe përfshirëse, në mënyrë që të arrihet përparim në rrugën e integrimit në BE, reformat elektorale dhe kushtetuese, reformat e rregullave parlamentare dhe procedurave, si dhe reformat e tjera të rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme dhe urgjente”, thuhet në deklaratë.
Zgjedhjet
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit të Këshillit të Stabilizim Asocimit, komisioneri për Zgjerim, Fyle,
kërkoi nisjen e një reforme zgjedhore që të mos përsëriten problemet e zgjedhjeve në Tiranë. “Opozita dhe qeveria të gjejnë një zgjidhje për stanjacionin politik. Kam parasysh aspiratat për BE dhe kornizën ligjore. Duhet të punojnë për institucionet demokratike. Unë besoj se opozita duhet të marrë pjesë në seancat e Parlamentit, shumë ligje kanë nevojë për votat e tyre”, tha Fyle, ndërsa shtoi se opozita duhet t’i rikthehet Parlamentit, sepse koha elektorale ka përfunduar. I pyetur për qëndrimet e opozitës shqiptare, Fyle tha se BE nuk e pranon bojkotin, rrugë kjo e ndjekur nga PS. “Të keni një opozitë konstruktive të marrë pjesë në Parlament, të mos marrësh pjesë nuk është pjesë e BE, bojkoti nuk pranohet nga BE”, tha Fyle më tej. Komisioneri rekomandoi ndër të tjera hartimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Sipas tij, nga mungesa e kornizës ligjore edhe zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, çka treguan se kjo kornizë duhet të ndryshojë. “Duke theksuar ato që kemi diskutuar, kemi ndjekur me vëmendje zgjedhjet lokale të 2011-s, kemi vërejtur me shqetësim se ka pasur polarizim të lartë mbi vendimin e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor rreth vendimeve më të fundit dhe arsyetimit. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, ashtu si demonstruan se korniza ligjore ka nevojë për reforma. Kemi theksuar mungesa në kornizën ligjore të procesit elektoral, që duhen adresuar mes një reforme të thellë elektorale sipas rekomandimeve të OSBE”, u shpreh Fyle.

Bregu: Opozita të kontribuojë në Kuvend
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ishte në Bruksel, tha se Apeli i europianëve ishte rinisja e dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar. “Qëndrimi nga pala europiane ka qenë i qartë dhe i prerë: të ketë një kontribut real të opozitës në Parlament. Ky Këshill i ka vlerësuar zgjedhjet në Tiranë. Fakti i zhurmës së madhe që u bë për Bashkinë e Tiranës, bëri që të tregohej preokupim nga BE-ja, por jo se u vu në diskutim vendimi për rinumërimin apo zgjedhjen e kreut të saj”, u shpreh Bregu.
Ajo tha se i gjithë thelbi i takimeve ishte që “zgjedhjet kanë përfunduar dhe se Shqipëria tani duhet të shohë përpara”.
“Të shohësh para do të thotë që të mos bëhesh bllokues për reformat integruese të vendit, u shpreh Bregu.

Haxhinasto: BE e quan të mbyllur procesin zgjedhor
Zv. kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto,
tha dje se për Bashkimin Europian zgjedhjet në Tiranë konsiderohen të mbyllura. “BE e quan procesin e zgjedhjeve krejtësisht të mbyllur. Është e domosdoshme që të gjitha forcat politike të Shqipërisë të angazhohen dhe të bashkëpunojnë. Dialogu është një kërkesë e BE-së”, u shpreh Haxhinasto. Lidhur me situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, Haxhinasto ritheksoi qëndrimin e maxhorancës qeverisëse për reformën zgjedhore. “Qeveria shqiptare do të punojë shumë ngushtë me institucionet europiane dhe do të rishikojë reformën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme për të vendosur një ligj të ri në të ardhmen”, u shpreh Haxhinasto.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura