Bashkimi Evropian (BE) ka apeluar që të ndërpriten protestat në Maqedoni dhe autoritetet në qetësi të mbyllin hetimet për vrasjen e pesëfishtë.
Peter Stano, zëdhënësi i evrokomisionerit për zgjerim, Stefan Fyle porositi që të ndërpriten protestat në Maqedoni dhe të lejohen autoritetet të zgjidhin vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill në Smilkovc të Shkupit.
Stano këtë e ka theksuar në një takim të rregullt me gazetarët në Bruksel, ku ka komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni, pas protestave të fundit.
“Komisioni Evropian ka pozicion të qartë lidhur me këto protesta, dhe kërkesa jonë është se ato duhet të ndërpriten dhe të lejohen autoritetet përgjegjëse në Maqedoni që në qetësi të kryejnë procesin e hetimeve dhe se pesonat që kanë kryer këtë vrasje mizore të përgjigjen para ligjit”, deklaroi zëdhënësi i evrokomisionerit Fyle. (INA)
© Panorama.al











