PRISHTINE- Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnak kanë prezantuar tri prioritete të angazhimit të BE-së në Kosovë gjatë këtij viti.
Kthimi i normalitetit në veri, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit bashkë me liberalizimin e vizave, janë prezantuar si prioritetet e strukturave të BE-së të angazhuara në Kosovë. Këto komente, Zhbogar dhe Marnak i kanë bërë gjatë një pritjeje të përbashkët për media.
Me këtë rast, Përfaqësuesi i BE-së , tashmë edhe Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar kanë nisur zyrtarisht punën në këtë post.
Ai tha se do ta mbështesë në vazhdimësi dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe do të angazhohet që t’i ndihmojë institucionet në procesin e liberalizimit të vizave.
Njëherësh, Zhbogar tha se , BE do të ndihmojë në vazhdimësi edhe në procesin e kthimit të rendit dhe ligjit në veri.
Të njëjtat prioritete i ka përmendur më pas edhe shefi i misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, Ksavier de Marnak.
Të martën ai pritet të nisë edhe takimet e para me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
© Panorama.al











