Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një nga nismëtaret e planit të ri të kursimeve të Greqisë, në këmbim të një borxhi të ri ndihme, e ka mirëpritur votëbesimin që i është dhënë qeverisë së Jorgo Papandreut nga Parlamenti i Greqisë. Merkel tha se votëbesimi ishte një hap të rëndësishëm për Greqinë. “Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe javën e ardhshme do të vijë hapi tjetër”, tha Merkel, duke iu referuar miratimit të paketës antikrizë. Kancelarja theksoi para Bundestagut se paketa në fjalë do të jetë vendimtare për ndihmën e radhës që FMN dhe BE kanë në plan për Greqinë. Edhe Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka përshëndetur votëbesimin që ka marrë qeveria greke e kryeministrit Papandreu në Parlament. “Bëhet fjalë për një lajm të mirë për Greqinë dhe për Bashkimin Europian. Votimi në Parlament rrëzon elementin e pasigurisë në një situatë të vështirë”, tha Barroso, në një deklaratë lëshuar vetëm pak minuta pas votëbesimit. Barroso tha se pret që Papandreu dhe qeveria e tij të përqendrojnë vëmendjen për të marrë mbështetjen e Parlamentit për miratimin e Planit afatmesëm të masave të ashpra të kursimit, prej 28 miliardë eurosh, si kusht për marrjen e këstit të pestë të ndihmës ekonomike.











