Brukseli i ka vënë kushte të parealizueshme Serbisë për vazhdim të procesit të integrimeve europiane. Agjencia serbe e lajmeve FoNet citon shkrimin e gazetës “Novi magazin”, e cila pohon se për Serbinë do të jetë kusht hapja e Zyrës së Kosovës në Beograd.
Hapja e Zyrës do të thoshte praktikisht hapja e ambasadës, e cila vetëm do të kishte emër tjetër, zyre, por për autoritetet vendore kjo është e papranueshme.
Nga Serbia po ashtu kërkohet të hapë përfaqësinë në Prishtinë, e cila krahas zyrës së Kosovës në Beograd, do të thote vendosje e marrëdhënieve diplomatike.
Krahas këtyre kushteve, mbeten edhe ato të vjetrat për të vazhduar eurointegrimin, si zbatimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut midis Beogradit e Prishtinës, shuarja e institucioneve paralele.
Gazeta “Novi magazin” thekson domosdonë e lëvizjes së papenguar të EULEX-it e të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës si dhe hapjen e zyrës së misionit të Bashkimit Europian në veri.
© Panorama.al











