BRUKSEL- Ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian sot në Bruksel do të fillojë “Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë”. Siç pritet çështje kryesore do të jenë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Delegacioni i Kosovës i drejtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, do të debatojë me Komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, komisioneren për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të Komisionit Evropian edhe për transformimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Fillimi i këtij dialogu qe paralajmëruar që më 27 mars të këtij viti nga komisionari Fule, i cili atëbotë u dorëzoi autoriteteve të Prishtinës, dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.











