
Zhvillime dramatike në Greqi, pasi qeveria miratoi masat e reja të kursimit dhe mori një përgjigje zhgënjyese në takimin e ministrave të Financave të eurozonës. Liderët e BE-së e rritën zemërimin në Greqi, pasi e urdhëruan atë të miratojë masa të tjera kursimi në shumën 325 milionë euro brenda javës së ardhshme. Tri ishin masat që u kërkuan nga Greqia në takimin e së enjtes mbrëma në Bruksel, ku mori pjesë ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos: masat e miratuara me shumë mundim deri të enjten paradite të miratoheshin të dielën në Parlament, kursime të reja për të plotësuar boshllëqet në bilancet paraprake për detyrimet e borxhit dhe paketës së re, si dhe konfirmimi i të gjithë liderëve politikë se do të vazhdojnë të zbatojnë programet e kursimit dhe angazhimet që kërkon paketa e re e huas. Katër ministra të partisë së ekstremit të djathtë, LAOS, kanë dhënë dorëheqjen nga qeveria pas kërkesës së re të kreditorëve për masa të tjera kursimi. Kreu i partisë ultranacionaliste LAOS, Jorgos Karaxhaferis, deklaroi se nuk do ta mbështesë në Parlament paketën e masave të reja. Ai tha se “dokumenti i trojkës është shantazh, imponim dhe shkelje e dinjitetit për vendin”, duke shtuar se drejtuesi i trojkës, Pol Tomson, duhet të shpallet “persona non grata” në Greqi. Një deputet i PASOK-ut ka dhënë dorëheqjen pikërisht për masat e reja të kursimit. Edhe deputetë të tjerë të partive të ndryshme politike kanë deklaruar se nuk do ta votojnë programin e ri, duke e vënë seriozisht në dyshim marrëveshjen për huan e re. Kryeministri Lukas Papademos ka deklaruar se është një përgjegjësi historike e qeverisë që ta shpëtojnë vendin nga falimentimi. Ndërkohë, sindikatat shpallën 48 orë grevë të përgjithshme. Dhunë shpërtheu në sheshet e Athinës, ku protestuesit u përleshën me policinë, të rinjtë me maska shtriheshin në trotuare, shkulnin pllakat e me to godisnin policinë dhe iu hidhnin forcave të rendit molotov, duke shkaktuar flakë në shumë raste. Mijëra njerëz ishin mbledhur në shesh duke u kërkuar deputetëve që të mos i miratonin masat e reja të kursimit. Masat e dhimbshme përfshijnë shkurtimin me 22 për qind të pagës minimale, e cila shkon në 586 euro; shkurtimin e 15 000 nëpunësve civilë brenda vitit, eliminimin e garancive të punësimit të përhershëm, shkurtimin e 20 për qind të forcës shtetërore të punës deri në vitin 2015, shkurtimin e shpenzimeve me 3 miliardë euro deri në fund të vitit 2012 dhe shkurtime të reja në pensione.
130 miliarde euro është paketa e re e kredisë që Greqia shpreson të marrë këtë muaj nga BE dhe FMN për të shpëtuar nga falimentimi në muajin mars, i cili është i paevitueshëm nëse nuk merr kredinë e re përpara 20 marsit, kur duhet të paguajë këstin prej 14.5 miliardë eurosh nga borxhi kombëtar.











