Stefan Fyle, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë ka pershendetur miratimin e Reformës Zgjedhore dhe ka apeluar per permbushjen edhe te detyrimeve te tjera te Shqiperise ne rrugen e saj drejt BE-se.
“Përshëndesim miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor, në vijim të marrëveshjes ndër-partiake të arritur javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar. Si maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë. Arritja e kësaj marrëveshje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të Nëntorit 2011 si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës”, thuhet në deklaratën, lexuar nga zedhenesit i Fyles, Peter Stano.
Sipas Fyles reformat duhet te permbyllen brenda muajit shtator dhe per kete maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit.
“Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE. Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standartet Evropiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne inkurajojmë të gjitha palët të kontribojnë drejt përpjekjeve të mëtejshme intensive në këtë kontekst si dhe të tregojnë një sjellje konstruktive. Kjo është thelbësore për Shqipërinë për të avancuar në rrugën drejt BE-së gjatë këtij viti”, përfundon deklarata.
© Panorama.al











