Greqisë i duhen edhe 55 miliardë euro të tjera në fonde zyrtare deri në vitin 2014, nën një paketë të dytë shpëtimi, e cila po diskutohet nga liderët ndërkombëtarë. Kështu tha një zyrtar i lartë i BE-së për “Reuters”.Kjo shumë është më e vogël se shuma që ishte diskutuar më parë nga zyrtarët europianë gjatë javëve të fundit. Programi trevjeçar do të përfshijë 115 miliardë euro në financime të reja, përtej 57 miliardë eurove që mbeten ende për t’u paguar nga paketa e parë e planit të shpëtimit. Fondet e reja do t’i jepen Greqisë, vetëm pasi Parlamenti të aprovojë një plan të ashpër e të ri kursimi, i cili do të ketë ulje drastike të pagesave dhe pensioneve për pesë vitet e ardhshme. Kabineti grek e miratoi draftin e ri për planet e reja të kursimit dhe ai do t’i paraqitet Parlamentit sot, si dhe pritet të votohet nga fundi i muajit. Menjëherë pas miratimit të këtij plani, i cili pritet të ndodhë pas të premtes, Greqia fiton automatikisht këstin e pestë të paketës së parë të shpëtimit prej 12 miliardë eurosh, me të cilin do të përballojë financat e veta deri në shtator. Në total, Greqia pritet të rrisë buxhetin e saj me 30 miliardë euro nga të ardhurat e marra prej privatizimit dhe bankat e sektorit privat, nga ku pritet që të sigurojnë më shumë se 30 miliardë euro të tjera, nëpërmjet një përfshirjeje vullnetare në planin e shpëtimit. Evangelos Venizelos, ministri grek i Financave, tha se bankat greke kishin shprehur dëshirën për të marrë pjesë në shlyerjen e borxhit. Ai shpalosi edhe masat e taksës së solidaritetit e masa të tjera për ta ndihmuar Greqinë. Venizelos tha të enjten se bisedimet po vazhdonin ende me një delegacion të FMN-së dhe BE-së për finalizimin e planit, por qeveria paraprakisht kishte rënë dakord për hapat që duhen marrë për të rritur të ardhurat. Ato përfshijnë: një taksë solidariteti, e cila do të variojë nga një deri në pesë për qind të të ardhurave, uljen në minimum për kufirin e taksës së të ardhurave nga në 8 000 euro nga 12 mijë euro, që është aktualisht taksa më e lartë mbi karburantet. Sipas zyrtarëve europianë, synimi i tyre është që të ndajnë sasinë e parave në mënyrë që dy të tretat të sigurohen nga BE dhe një e treta nga FMN-ja. Megjithatë, në paketën e parë të shpëtimit, e cila ishte 110 miliardë euro, pjesa që ofroi Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte vetëm 30 miliardë euro, që do të thotë rreth 27 për qind e paketës. Kësaj radhe FMN-ja mund të ofrojë rreth 15 miliardë euro. Kjo mund të ndikojë në rritjen e shqetësimit mes anëtarëve jo-europianë të bordit të FMN-së, nëse i duhen dhënë para të tjera Greqisë, kur ka dyshime serioze për mundësinë e këtij vendi në shlyerjen e borxhit aktual prej 340 miliardë eurosh apo 150 për qind të të ardhurave ekonomike.
Barroso
Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manual Barroso, tha dje se për krizën greke në lojë janë shumë gjëra. “Javën e ardhshme do të vijë ora e së vërtetës. Atëherë, Greqia duhet të tregojë se e mbështet vërtet projektin ambicioz të masave financiare dhe privatizimeve, të paraqitur nga qeveria e kryeministrit Papandreu dhe të cilin e kanë miratuar Bashkimi Europian e Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mesazhi im është i qartë: “Kur Athina të veprojë, Evropa do të furnizojë”. Sipas Barrosos, BE do të lirojë jo vetëm shumën tjetër të ndihmës nga paketa ekzistuese e ndihmës, por do të thurë me siguri edhe një paketë të re ndihmash.
FMN
Falimentimi i Greqisë si shtet nuk është vetëm shqetësim i europianëve. Xhon Lipski, shef i përkohshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, është shprehur se “Fusha e Euros është siç e dimë të gjithë, një ekonomi vendimtare globale popullore. Analizat tona tregojnë se pasojat direkte të problemeve në periferi (Greqi, Portugali, Irlandë) janë natyrisht të vogla, sepse bëhet fjalë për ekonomi popullore shumë të vogla, porse kriza do të ndihej shumë më fort në të gjithë botën, po të prekte bankat në ekonomitë bazë të zonës së euros”.
© Panorama.al











