BE: Bëni urgjent reformën zgjedhore

Jul 18, 2011 | 10:33

Në përfundim të procesit ankimor dhe shpalljes së fituesit për Bashkinë e Tiranës, Bashkimi Europian bën thirrje urgjente për të bërë reformën zgjedhore.Zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, në një intervistë për “Top Channel” theksoi se ndryshimi i Kodit duhet të kalojë përmes Komisionit të Venecias, një qëndrim i njëjtë ky me atë të maxhorancës. “Ne besojmë se çfarë nevojitet të ndodhë tani, është një reformë e ligjit mbi zgjedhjet dhe e kuadrit legjislativ që lidhet me to. Nevojitet që kjo të bëhet në transparencë të plotë e në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne, si Bashkim Europian, kemi mbështetur gjithashtu propozimin e Këshillit të Europës që kjo çështje t’i jepet për konsultim Komisionit të Venecias, në mënyrë të tillë që të sigurohemi se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”, u shpreh Maja Kocijancic. Sipas saj, ajo që i nevojitet Shqipërisë tani është kryerja e reformave që e afrojnë me Bashkimin Europian. “Ne besojmë ende e këtu nuk ka asgjë të re, pasi njësoj kemi nxitur edhe në të kaluarën, që legjislacioni ekzistues duhet modernizuar e duhet ndryshuar sipas rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ODIHR. E ne besojmë se kjo është tani më urgjente se kurrë, pasi pati parregullsi që duhen ndryshuar. Kjo është ajo që duam të shohim. Por, sigurisht ajo që duhet të ndodhë gjithashtu është që Shqipëria, në mënyrë që të ecë drejt BE-së, duhet të gjejë mënyrën sesi partitë e ndryshme politike të punojnë së bashku. Kështu ndodh në çdo vend modern e demokratik, ku fokusi duhet të jetë në të ardhmen. Fokusi duhet të jetë mbi reformat që i nevojiten Shqipërisë për përafrimin e mëtejshëm me Bashkimin Europian”.
Zgjedhjet
E pyetur mbi vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor që konfirmoi fitoren e Lulzim Bashës, zëdhënësja e Baroneshës Ashton, tha se Brukseli ka ende dyshime mbi procedurën që u ndoq për numërimin e votave të hedhura gabimisht. “Mendoj se ju do të merrni vlerësimin e plotë vetëm më vonë, pasi ai do të bëhet në raportin e rregullt të progresit që Komisioni Europian do të miratojë në vjeshtë të këtij viti. Por, natyrisht, ne kemi vijuar t’i ndjekim nga afër zgjedhjet lokale të 8 majit, madje zhvillimet i kemi diskutuar edhe në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në qershor. Këshilli vuri në dukje me shqetësim polarizimin e situatës. Së fundmi, këtë javë aktualisht kemi marrë të reja mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor e veçanërisht për argumentimin e dhënë, gjë e cila na mungonte javën e kaluar dhe me të cilin as nuk u ngritën dhe as nuk u fshinë dyshimet tona mbi procedurat që u përdorën për numërimin e votave”. E pyetur nëse ka Bashkimi Europian ndonjë plan për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë moment, Maja Kocijancic tha se Brukseli është duke e parë nga afër situatën. “Shqipëria, sikundër dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka perspektivë europiane e kjo është dhe arsyeja pse po i kushtojmë vëmendje të shtuar. Ajo çfarë në duam të shohim është, siç e shpjegova, që Shqipëria të përparojë. Kriteret politike për zgjerimin janë ekstremisht të rëndësishme. Pra, mënyra sesi funksionon sundimi i ligjit dhe institucionet demokratike është një nga ato gjera që ne do t’i shohim nga shumë pranë, kur të përgatitet raporti nga Komisioni në tetor. Ndaj, ajo që po vëzhgojmë është se sa përputhet ajo çfarë po ndodh në vend me kriteret që Shqipëria nevojitet të përmbushë, si një vend me perspektive për statusin kandidat”.

Kantrimen

I pyetur mbi procesin elektoral në Shqipëri, zv. ndihmëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Thomas Kantrimen, tha se “mendoj se si një çështje teknike, zgjedhjet e 2011-s ishin më të mira se më 2009-n. Por, pyetja juaj ka të bëjë me politikën, pra, a ndihmuan ato për të zgjidhur tensionin që ekziston mes dy udhëheqësve dhe në një shoqëri që është e ndarë thuajse barabar mes dy partive? Në atë kuptim, po, ishte një rast i humbur për popullin e Shqipërisë”.

© Panorama.al

Te lidhura