BB: Arbitrimi i konflikteve, problem për tregtinë

Aug 23, 2011 | 11:52
Godina e Bankës Botërore

Një sistem gjyqësor me ngërçe në arbitrimin e konflikteve dhe një infrastrukturë hekurudhore tejet e lënë pas dore duket të jenë dy nga barrierat kryesore të Shqipërisë në tregtinë e shërbimeve.Ashtu sikurse ka çështje ende të pazgjidhura që përbëjnë barriera, ashtu ka edhe pika të tjera ku Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në lehtësimin e kushteve për tregtinë. Banka Botërore publikoi raportin me titullin “Barrierat në tregtinë e shërbimeve në vendet anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Europën Qendrore”, në të cilin reflektohen pikat e forta dhe të dobëta për rajonin dhe vendin tonë. Tregtia e shërbimeve zë një vend të rëndësishëm dhe, po t’i referohemi vitit 2009, ajo vlerësohet sa 19 për qind e GDP-së.
Barrierat
Arbitrimi i konflikteve që mund të ekzistojnë mes bizneseve dhe zvarritja e zgjidhjes duket se është një nga problemet kyçe që përbën barrierë për tregtinë e shërbimeve në vendin tonë. Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor, por ku indeksi për fuqinë e ligjit nga 100, që është maksimumi për vendin tonë, shënon 84. Por problem mbetet indeksi i lehtësisë së arbitrimit të çështjes, pra kalimi i zgjidhjes nga një gjykatë vendëse në ato të arbitraritetit jashtë, ku indeksi shënon 41. Indeksi i dhënies së asistencës juridike për vendin tonë është 69 dhe mat ndërveprimin mes gjykatave vendëse dhe atyre të huaja për të zgjidhur rastet e konfliktit të lindura këtu. Një tjetër problem që përbën barrierë për tregtinë nga Banka Botërore vlerësohet të jetë edhe mungesa e transportit hekurudhor. Banka Botërore edhe më herët ka dhënë idenë e privatizimit të këtij sektori, çka mendohet se do ta bëjë më eficent. Shumica e tregtisë dhe e transportit të mallrave bëhet përmes hekurudhave, ndërkohë që në Shqipëri ndërhyrja në këtë pjesë të infrastrukturës konsiderohet si emergjente.
Lehtësitë
Shqipëria vlerësohet të ketë bërë hapa para sa i përket lehtësisë që u krijon kompanive të huaja për të investuar. Banka Botërore në raportin e saj të fundit i referohet edhe Doing Bussines 2011, ku vlerëson se marrja e një leje apo licence është mjaft e lehtë. Në sektorin e ndërtimit, që konsiderohet si një sektor shërbimi, lehtësia për të hapur një biznes të tillë është e jashtëzakonshme, ku kompanisë i duhet të paraqesë emrin e një drejtuesi teknik të certifikuar, kurse e kundërta ndodh në Kroaci për shembull, ku detajimi duhet bërë deri në 10 punonjësit kryesorë të kompanisë. Sakaq, sipas Bankës Botërore, Shqipëria nuk pengon të huajt që të blejnë tokë në Shqipëri, sikurse në fakt veprojnë një pjesë tjetër e vendeve të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Europën Qendrore. Një tjetër lehtësi është ajo e konvertimit të diplomave, të cilin Shqipëria e aplikon dhe, nga ana tjetër, edhe lejimi pa shumë burokraci i punonjësve të përkohshëm të kenë akses në vend.

Fakte për Shqipërinë në raport

–    Eksporti i shërbimeve përbën 19 për qind të GDP-së në Shqipëri për 2007-2009
–    Niveli mestar i importit të shërbimeve është 18 për qind e GDP-së
–    Sektori i tregtisë (hotele restorante) zë 22.2 për qind të ekonomisë kombëtare
–    Sektori i ndërtimit zë rreth 14.8 për qind të ekonomisë
–    Sektori i transportit zë 5.6 për qind të ekonomisë
–    Sektori i post-telekomunikacioneve zë 4.6 për qind të ekonomisë.
–    Totali i eksportit të shërbimeve 2007-2009 ishte 1.6 miliardë euro
–    Indeksi mbi fuqinë e ligjit vlerësohet të jetë 84 nga 100 që është maksimumi
–    Indeksi për lehtësinë e arbitraritetit të konflikteve 41
–    Indeksi për kohën e dhënies së asistencës juridike 69
–    Procedurat për dhënien e një leje ndërtimi 24
–    Koha e dhënies së një leje ndërtimi 331 ditë
–    Renditja në Doing Bussines 2011 170
–    Renditja botërore për treguesin e performancës së logjistikës 119
–    Pikët e marra për treguesin e performancës së logjistikës 2.5

Kater sektoret me te rendesishem te sherbimeve

Banka Botërore bën një vlerësim të katër sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë, ku deri në vitin 2009 tregtia ku përfshihen hotelet dhe restorantet përbën 22.2 për qind të totalit, 14, 8 për qind e zë sektori i ndërtimit, 5.6 për qind sektori i transportit dhe 4.6 post-telekomunikacioni. Në raportin e saj, BB vlerëson se totali i eksporteve nga sektori i shërbimeve për periudhën 2007-2009 vlerësohet të jetë 1.6 miliardë euro.

Interneti dhe pirateria

Një nga problemet që Banka Botërore ngre në raportin e saj është pirateria. Shqipëria vlerësohet se tashmë ka hyrë në rrugën e përdorimit të gjerë të internetit, por çmimet e ofrimit janë më të larta sesa në disa vende të rajonit. Sakaq, problem përbën pirateria, ku vlerësohet që 70 për qind e programeve kompjuterike piratohen. Mbrojtja e IP-ve duket se është një tjetër pikë ku vendi ynë duhet të rrisë përpjekjet.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura