Filipo Karobio, pasi ka thënë diçka të tillë edhe një muaj më parë, është rikthyer të flasë sërish duke futur në telashe Antonio Konten. Ish-futbollisti i Sienës, të cilin hetuesit e cilësojnë si të besueshëm, ka rrëfyer disa detaje shumë të rëndësishme në lidhje me disa trukime për të cilat, sipas tij, trajneri aktual i Juventusit ishte në dijeni. Në veçanti, Karobio ka rrëfyer se “Antonio Konte na tha që të rrinim të qetë, sepse e kishim arritur marrëveshjen me Novarën për barazimin”. Sipas ish-futbollistit, edhe Siena e dinte. Ndeshjet për të cilat është përfshirë numri një i pankinës së kampionëve të Italisë janë në thelb dy: Novara-Siena 0-2 dhe Albinolefe-Siena 1-0, që të dyja këto në hetim e sipër nga ana e Prokurorisë.











