Bashkitë, nuk ka fonde po nuk paguan “borxhet”

Jul 26, 2011 | 10:48

Institucionet në vartësi apo pronësi të pushtetit vendor do të duhet të paguajnë në kohë detyrimet ndaj të tretëve, në të kundërt Ministria e Financave do të bllokojë fondet.

Ky është edhe udhëzimi i fundit i përbashkët i tre ministrive, asaj të Financave, të Punëve Publike dhe Transporteve, si dhe të Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës për të vënë nën “presion” pushtetin vendor, i cili jo pak herë është bërë pjesë e borxheve me fatura të papaguara uji
apo dritash. Në këtë urdhër të miratuar në mes të muajit qershor, sanksionohet se të gjitha ndërmarrjet apo sh.atë që janë në vartësi të pushtetit vendor duhet që të shlyejnë në kohë detyrimet ndaj
të tretëve dhe, nëse nuk e bëjnë ato, përgjegjësia direkte është e njësisë vendore. “Në rastet kur ndërmarrjet publike dhe/ose sh.a.-të, në
pronësi të pushtetit vendor, nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre ndaj të tretëve, njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për pagimin
e tyre”, thuhet në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare. Ministria e Financave do të jetë edhe përgjegjësja për verifikimet përkatëse lidhur me
arsyet e mospagesës për rastet kur ndërmarrjet apo sh.atë subvencionohen nga pushteti qendror. “Pas kryerjes së verifikimit të mësipërm,
Ministri i Financave me anë të një shkrese i kërkon njësisë së qeverisjes
vendore marrjen e masave për zgjidhjen e problematikës së krijuar me ndërmarrjen publike apo sh.a.-të në pronësi të saj, duke e vënë në
dijeni të sanksioneve ligjore, të cilave do t’u nënshtrohet në rast të moszgjidhjes së problemit”, thuhet në udhëzimin e ministrave. Afati që i
lihet njësisë qendrore për të zgjidhur këtë problem, është 30 ditë dhe në rast se nuk merret asnjë masë, atëherë përmes shkresave respektive
Ministri i Financave bllokon të gjitha veprimet financiare të njësisë vendore, me përjashtim të fondeve që lidhen me personelin apo ushqimin
dhe ngrohjen në kopshte, çerdhe, qendra sociale dhe shkolla. Udhëzimi i përbashkët i ministrave parashikon që veprimet financiare të
qëndrojnë të bllokuara deri në zgjidhjen e problemit dhe kryerjes së pagesave nga ana e njësisë vendore. “Njësia e qeverisjes vendore do të qëndrojë
e bllokuar deri në momentin e paraqitjes së urdhërpagesës së likuidimit të
detyrimit”, saktësohet në udhëzim. Ndërkaq, që me t’u paraqitur kjo urdhërpagesë, bëhet edhe zhbllokimi i fondeve. Ky udhëzim vjen si një
“presion” për pushtetin vendor për të paguar në kohë detyrimet, të cilat më vonë në raste problemesh i rëndojnë buxhetit sikurse ka ndodhur
dhe më herët.

PRECEDENTI I VJETSHËM

Institucionet në vartësi të pushtetit vendor janë bërë shpesh pjesë e sanksioneve që kanë marrë palët e treta, ndaj të cilave nuk janë paguar detyrimet, siç kanë qenë ujësjellësit apo CEZ. Një rast i tillë i ngjashëm ishte ai i vitit të kaluar, kur është dashur që Ministria e Financave
të paguante detyrimet e shumë njësive, në mënyrë që të evitonte masat që kompanitë do të merrnin ndaj ndërmarrjeve apo sh.a-ve borxhlie, të cilat kishin kohë pa paguar.                              NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura