Bashkim Zeneli: Serbia në BE? Pa ide provokuese

Jun 5, 2011 | 10:24

Diplomati Bashkim Zeneli, në një analizë të hollësishme të zhvillimeve të fundit në rajonin ballkanik, shprehet për gazetën “Panorama” se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës do të jetë në Bashkimin Europian, por përmes një klime jo provokuese dhe si rezultat i shprehjes së një vullneti të mirë.Zoti Zeneli e konsideron shans të humbur për Serbinë mospjesëmarrjen e Presidentit Tadiç në Samitin e Varshavës, për shkak të prezencës në të të Presidentes së Kosovës, Jahjaga.
Zoti ambasador, ditët e fundit Ballkani Perëndimor ka pasur disa zhvillime interesante e të rëndësishme. Është arrestuar dhe ekstraduar në Hagë gjenerali famëkeq, Mlladiç. Zyrtarë të lartë të BE-së kanë vizituar Beogradin dhe Kosovën. Presidentja e Kosovës, Jahjaga, është ftuar në Varshavë në Samitin e Presidentëve të Europës Qendrore. Si do t’i komentonit këto ngjarje?
Do t’i përmblidhja të gjitha si ngjarje pozitive. Mbi të gjitha, sepse tregon edhe shqetësimin, por dhe vëmendjen e shtuar të Brukselit dhe të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor dhe axhendën inkurajuese për integrimin në BE dhe në strukturat euroatlantike (është shumë i rëndësishëm edhe takimi i Presidentit Obama me Presidenten e Kosovës Jahjaga dhe mesazhet inkurajuese që ajo mori). Vendet e rajonit, dhe në mënyrë të veçantë ato të Ballkanit Perëndimor, kësaj vëmendjeje të SHBA dhe BE-së, natyrisht duhet t’i përgjigjen duke lënë pas historinë e vjetër, tensionet etnike dhe shpeshherë “gatishmërinë” për sherre të reja.
Po midis të tjerave, arrestimi i Mlladiçit a i hap rrugë Serbisë për integrimin në BE, që trumbetohet aq shumë?
Natyrisht që është një ngjarje e rëndësishme edhe në kuadër të këtij procesi integrues për Serbinë, por, mbi të gjitha, që vihet përpara drejtësisë një kriminel lufte. Por nuk është gjithçka, nuk është kushti që Serbisë automatikisht do t’i hapte dyert e BE-së. Është hapur një dritë jeshile dhe kjo është për t’u përshëndetur. Serbia ka ende mjaft detyra për të plotësuar në rrugën e reformave të gjithanshme demokratike, ka nevojë të përmirësojë marrëdhëniet e saj me fqinjët. Rruga drejt BE-së është rrugë drejt paqes dhe demokracisë, dhe kjo kërkon, midis të tjerave, që Serbia tashmë ta shohë ndryshe Kosovën dhe raportet me të. Statusi i Kosovës dhe çështja e kufijve në Ballkanin Perëndimor është çështje e mbyllur. Këtë duhet ta kuptojë përfundimisht Serbia. Ajo duhet ta pranojë këtë si një realitet të padiskutueshëm. Mbi këtë bazë varen shumë qëndrime të saj drejt BE-së.
Por, në Samitin e Varshavës nuk mori pjesë Presidenti serb Tadiç, pikërisht se e pranishme ishte Presidentja e Kosovës, Jahjaga. Nuk mori pjesë as Presidenti rumun, Basesku.
Unë mendoj se Presidenti Tadiç duhet të kapërcejë çdo paragjykim, çdo qëndrim të së kaluarës. Duhet të tregojë jo vetëm vullnet, por edhe guxim politik për t’i kapërcyer këto qëndrime. Serbia nuk mund të vazhdojë të ecë në politikë me mitologji apo me mure të betonizuara, për çfarëdo arsye të brendshme apo të jashtme që ta përdorë atë. BE po e afron drejt saj, por kjo nuk duhet ta çojë atë në delir. Rruga drejt standardeve euroatlantike ka si kusht shumë të rëndësishëm bashkëpunimin midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Dhe, natyrisht, përftimi është edhe për shqiptarët, edhe për vetë serbët. Unë them se Presidenti Tadiç humbi një shans në Varshavë për t’u treguar vërtet i besueshëm në ato që aspiron të udhëheqë vendin e tij, pra drejt Europës. Ndërsa qëndrimin e Presidentit rumun e konsideroj tepër naiv. Nuk kam e kuptuar as gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë kur tha se “nuk kemi gjë me popullin e Kosovës, por duhet të presim opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare, pra ligjshmërinë ndërkombëtare”. Dhe ai opinion doli vetëm mbas pak ditësh fare i qartë.
Gjithsesi, dialogu Serbi-Kosovë vazhdon. A duhet ta shohim me besim këtë proces? A do të këtë ndonjë perspektivë?
Unë mendoj se ky dialog është i domosdoshëm. Ai është teknik dhe me korniza të përcaktuara. Duke qenë i përjashtuar nga ky dialog statusi i Kosovës dhe mosndryshimi i kufijve, natyrisht që për çdo gjë tjetër mund dhe duhet të bisedohet. Ky dialog mbështetet nga BE dhe u inkurajua edhe gjatë vizitës së znj. Klinton në Beograd, por edhe gjatë vizitës së para pak ditëve se komisioneres së lartë Ashton në Beograd e Prishtinë. Natyrisht, është e nevojshme që forcat politike parlamentare në Kosovë të mos kenë qëndrime totalisht ekstreme, por të arrijnë një konsensus dhe t’i japin mbështetje këtij dialogu, natyrisht duke e mbikëqyrur këtë proces edhe në linjën parlamentare. Në fund të fundit, ky dialog deri tani është përqendruar në çështje që u interesojnë vetë qytetarëve të Kosovës, si lëvizja e lirë, çështje të doganave, regjistrit civil dhe kadastrave, diplomave shkollore, çështje të energjisë, telekomunikacionit etj. Pritet që brenda qershorit të arrihet një paketë marrëveshjesh që do të garantohet nga Bashkimi Europian dhe do të monitorohet prej tij në zbatimin prej tyre. Baronesha Ashton theksoi në Prishtinë se dialogu Kosovë-Serbi është kusht për hyrjen e secilit në BE.
Zoti ambasador, a mendoni se në kuadër të bisedimeve mund të arrihet, natyrisht gradualisht, në një proces pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve?
Mendoj se ky proces, në një mënyrë apo në një tjetër, është i filluar, në mënyrë të veçantë në raportet e shqiptarëve me serbët në Kosovë, por bisedimet kanë rëndësinë e tyre; kanë, pa dyshim, edhe mesazhe. Çdo zgjidhje që do të jepet me dialog, vetë përfundimi me rezultat i tyre do të jetë një mesazh. Procesi i pajtimit është sa i domosdoshëm, aq dhe i vështirë e kompleks, shumëplanësh. Pajtimi kërkon edhe qartësi, edhe guxim, edhe frymë të re; kërkon të shohësh përpara. Një hap i domosdoshëm në këtë pikë do të ishte njohja e Kosovës nga Serbia. Pajtimi është edhe njerëzor, por dhe institucional. Dimensioni njerëzor midis popujve është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai mbetet një diplomaci e pazëvendësueshme. Ky do të ishte një hap shumë serioz dhe i besueshëm, por duket se tani për tani politika serbe nuk është e gatshme për këtë hap. Serbia dhe Kosova duhet të nisin të mësohen të jetojnë me njëri-tjetrin, të ndërtojnë së bashku të ardhmen e tyre, si dy shtete të pavarura në BE. Dhe, natyrisht, të pajtohesh, të shohësh përpara, të kapërcesh dasitë, të ndërtosh, është e vështirë, por e domosdoshme. Rruga tjetër mban konfliktet e vjetra apo shton të reja. Edhe vende të zhvilluara europiane kanë pasur probleme mes tyre, dhe jo deri shumë larg, por kanë ditur të zgjedhin me guxim rrugën e së ardhmes, kanë kapërdirë dhe kanë ecur përpara. Këto janë mësime veçanërisht për ne ballkanasit.
Zoti ambasador, problemin e shtroni qartë, por Presidenti Tadiç, kur njoftoi arrestimin e gjeneralit Mlladiç, menjëherë kërkoi zbardhjen e akuzave për trafikim të organeve në Kosovë…
Po, e kam dëgjuar. Në atë deklaratë për arrestimin e Mlladiçit nuk kishte aspak vend të bëhej paralelizëm me hetimin për trafik organesh. Së pari, nuk është e njëjta gjë; së dyti, askush nuk ka mohuar nevojën e një hetimi për akuzat e ngritura nga Dik Marti, pas atyre të Del Pontes. Edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, kjo gatishmëri ka qenë e plotë, jo sot, por vite më parë. Në kuadër të këtij pajtimi që folëm më sipër, përveç atyre që thashë, do të shtoja se Serbia duhet të njohë krimet barbare të regjimit të Millosheviçit në Kosovë, vrasjet masive e deri zhdukjen e deri 2000 jetëve që sot konsiderohen të humbur. Kjo duhet pranuar nga serbët, për t’u kërkuar falje shqiptarëve, falje të ndershme, bindëse, njerëzore dhe politike. Nga kjo nuk humbet, vetëm fiton…. Ish-kancelari gjerman, Vili Brand, u ul në gjunjë para lapidarit të të rënëve kundër fashizmit në Poloni, u ul në gjunjë për të ngritur në këmbë të ardhmen, paqen, mirëkuptimin dhe përparimin.
Zoti Zeneli, pavarësisht problemeve aktuale midis Serbisë dhe Kosovës, e ardhmja e të dyja vendeve është drejt BE-së dhe për këtë SHBA dhe BE po tregojnë një vëmendje të posaçme. Por, në këtë kuadër, janë hedhur dhe ide apo teza për ndarjen e Kosovës, për shkëmbim territoresh etj. Si e shihni këtë?
Ndonëse jo pa problem dhe vështirësi, Ballkani Perëndimor e ka marrë rrugën drejt BE-së. Kjo është një aspiratë e madhe, e prekshme, por është edhe një përgjegjësi e madhe për realizimin e tij. Në këtë kuadër, me siguri, Kroacia mbetet e para në pritje të shpejtë për t’iu bashkuar familjes së BE-së. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, nuk besoj se do ta presin shumë shpejt ftesën. Arsyet janë të njohura e nuk po ndalem. Parë kështu në aspiratën integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, unë mendoj se zërat për ndarje të Kosovës në Veri të saj janë naive, por edhe provokuese. Po të vëmë re me kujdes sa herë hidhen ide të tilla, reagimi i SHBA-ve dhe BE-së është i menjëhershëm, duke theksuar se statusi i Kosovës dhe çështja e kufijve janë një kapitull i mbyllur. Dy-tri ditë më parë këtë e ritheksoi gjatë një debati për Kosovën në Bundestagun gjerman edhe ministri i Jashtëm, Westerwelle. Ka pasur edhe ide për zgjidhje krahasuese me dy Gjermanitë e Luftës së Ftohtë, por asgjë nga këto nuk kanë zënë vend. Duket se këto ide frymëzohen dhe hidhen në treg nga politikanë serbë. Ministri i Jashtëm serb, Jeremiç, para pak ditësh foli për formimin e një etniteti në Veri të Kosovës, i ngjashëm me Republikën serbe të Bosnjës. Dy ditë më parë, zv.kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Dadiç, hodhi si në efir idenë e ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Duket se politikanët serbë, në këto ide apo teza, vetëm se vonojnë veten nga BE-ja. Nuk ka asnjë linjë të qartë çfarë kërkon njëri dhe çfarë kërkon tjetri, dhe në këtë drejtim duket se nuk janë të qetë, janë konfuzë, të papërgjegjshëm e të papranueshëm. Këto janë çoroditje absurde, janë konvulsione politiko-diplomatike. Kryeministri Thaçi iu përgjigj dje qartë këtyre ideve.
A mendoni se mbas disa situatave problematike që kaloi Kosova muajt e fundit, tani ajo është në rrugën e duhur?
Kosova është një shtet i ri. Ajo e ka zgjedhur rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Në këto tre vite, përparimi është i dukshëm dhe i pamohueshëm. Natyrisht ka edhe vështirësi, por edhe problemet nuk janë të pakta. Mendoj se duhet një ndërgjegjësim më i madh i klasës politike në Kosovë, një përgjegjësi më e madhe dhe një gatishmëri për kompromise e mirëkuptim në interes të vendit midis forcave politike. Deri tani, këto, duke qenë disi të munguara, kanë krijuar probleme, por kanë dëmtuar edhe imazhin. Për shembull, nuk ishte aspak lajm i mirë mosdhënia e planifikuar e 150 milionë eurove nga FMN-ja. Dhe më shumë konstatova prirjen e qeverisë për justifikime, se “marrëdhëniet me FMN-në nuk janë shkëputur dhe se ato kanë një bazë partneriteti të fuqishëm”, sesa nxjerrja dhe pranimi i përgjegjësive së përse ndodhi kjo. Këto ditë, qeveria “Thaçi” mbush 100 ditë qeverisje dhe bilanci ishte premtuar të ishte pozitiv, sidomos në ekonomi, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe përgjithësisht të funksionimit të shtetit ligjor. Nëse nuk ka kthim mbrapa, pa dyshim ka ecje të ngadaltë përpara.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura