Bashkia zgjidhje për romët, strehohen te shkolla “1 Maji”

Feb 3, 2012 | 12:17

Banorë të komunitetit rom që janë strehuar në zyrat e Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit: Është e përkohshme, duhet strehim i përhershëm

Përfaqësuesit e BE: 1.5 milionë euro për komunitetin

Transferohen përkohësisht në palestrën e shkollës “1 Maji” në kryeqytet rreth 52 persona të komunitetit rom. Zgjidhja u ofrua nga Bashkia e Tiranës, e cila ofroi ndihmë duke garantuar se do të trajtojë në vazhdimësi emergjenca të kësaj natyre.  “Në bashkëpunim me partnerët socialë, Bashkia do të krijojë kushtet e nevojshme jetike për këta persona. Ndërkohë, janë siguruar çadra dhe mjete të tjera të nevojshme në raste të ngjashme emergjencash”, thuhet në deklaratën për shtyp të Bashkisë së Tiranës. Sipas Bashkisë së Tiranës, romët do të qëndrojnë në ambientet e palestrës për pak kohë, derisa të gjenden ambientet e përshtatshme për strehim. Nga Ministria e Punës nuk ka pasur asnjë reagim, ndonëse është institucioni që menaxhon fondet miliona euro që jepen nga ndërkombëtarët për këtë kategori. Pas djegies së çadrave të tyre, tetë familjet rome mbetën të pastreha, ndërsa prej disa ditësh janë strehuar në ambientet e Avokatit të Popullit.
Reagimi
Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se tashmë të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje për zgjidhjen e problemit të familjeve rome. “Kam një informacion, që gjërat kanë filluar të lëvizin, por mbase nuk jam unë personi i duhur për të thënë se kur dhe si do të zgjidhet problemi”, u shpreh Totozani. Menjëherë pa zgjidhjes që ofroi Bashkia e Tiranës, Avokati i Popullit falënderoi për ndihmën ndaj këtyre banorëve. Megjithatë, duke shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me Bashkinë, Totozani theksoi se zgjidhja e gjetur nuk është e përshtatshme. Avokati i Popullit kërkon një zgjidhje përfundimtare për këta njerëz. “Avokati i Popullit kërkon një trajtim më dinjitoz për këta qytetarë shqiptarë dhe mendon se palestra nuk është zgjidhja e përshtatshme”, thuhet në letrën Totozanit.
Për dy ditë me radhë familjet rome kanë qëndruar ambientet e zyrave të Avokatit të Popullit. Natën e fundit ata u transferuan nga çadrat e vendosura në oborrin e këtij institucioni, në sallën e mbledhjeve, për shkak të temperaturave të ulëta.
Zgjidhja përfundimtare
Ndërkohë, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit sqarojnë se ka sinjalizime nga ana e qeverisë për zgjidhjen e çështjes. “Ne mendojmë se diçka ka filluar të zgjidhet nga ana e qeverisë. Jemi njoftuar se do të jetë një vendim i Këshillit të Ministrave për transferimin e romëve në zonën e Sharrës. Ne jemi njohur vetëm dje me ambientin e ri dhe mendojmë t’i shoqërojmë dhe të shohim se cilat do të jenë kushtet ku ata do qëndrojnë”, kanë deklaruar përfaqësuesit e Avokatit të Popullit. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Etore Sekui, ka deklaruar dy ditë më parë se për këtë vit janë rreth 1.5 milionë euro që BE do t’i japë Shqipërisë për komunitetin rom. “Lejomëni të them se sot kam nënshkruar marrëveshjen financiare Shqipëri-BE, 82 milionë euro, brenda së cilës 1.5 milionë euro i takon ndihmës ndaj komunitetit rom. Kjo është arsyeja pse BE i jep një rëndësi të madhe përfshirjes së komuniteti rom”, theksoi Sekui.

Ndërkombëtarët: Respektoni të drejtat e romëve
Vendosja e familjeve rome në zyrat e Avokatit të Popullit ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Ata vizituan paraditen e djeshme familjet rome dhe  kanë dërguar disa ndihma. Gjithashtu nuk ngurruan të kujtojnë se një nga 12 kërkesat e BE-së është respektimi i të drejtave të komunitetit rom. “Dua të kujtoj se një prej 12 kritereve të vendosura për Shqipërinë për integrimin në Bashkimin Europian, është edhe respektimi i të drejtave të komunitetit rom”, tha kreu i përfaqësisë së BE-së në Shqipëri, Etore Sekui. Edhe ambasadorja e Zvicrës, Yvana Enzler, vizitoi zyrat e Avokatit të Popullit dhe shprehu besimin se qeveria shqiptare do të gjejë një zgjidhje për situatën e tyre, pasi, sipas saj, ekziston një vullnet i mirë nga të gjitha palët. Zvicra është një prej vendeve të shumta që kanë financuar OJQ-të shqiptare, të cilat, sipas ambasadores, kanë ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetës së romëve në vendin tonë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura