
Policia Bashkiake e Tiranës nisi dje prishjen e një ndërtimi pa leje prej pesë katesh në qendër të qytetit në rrugën e Kavajës.Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ndoqi aksionin e uniformave bashkiake për prishjen e kësaj godine të bërë jashtë çdo kriteri. Por, falë denoncimeve të banorëve, Bashkia ndërhyri për ta kthyer situatën në normalitet. Bëhet e ditur se pas konstatimit të ndërtimit, Policia Bashkiake në fillim bllokoi punimet, bëri aktkontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. “Bashkia e Tiranës sot po zbaton ligjin. Ne jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar edhe raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës. U bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake, si dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, u shërben qytetarëve”, tha drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Sipas tij, aksioni për vendosjen e ligjshmërisë do të vazhdojë çdo ditë.
Pallati pa leje ishte bërë shqetësim për komunitetin dhe banorët e zonës e denoncuan rastin në Policinë Bashkiake, pas thirrjes që bëri Bashkia, ku u kërkoi qytetarëve që të bashkëpunonin me autoritetet për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. “Aksioni do të vazhdojë deri në kthimin në gjendjen fillestare. Policia Bashkiake do të kujdeset edhe për pastrimin e territorit. Deri tani, Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve në 107 raste të ndërtimeve pa leje. Aksioni në terren vazhdon. Prishja e ndërtimeve pa leje do të kryhet çdo ditë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Prishja
Dhjetëra punonjës së Ndërmarrjes Nr. 1 të Bashkisë së Tiranës, të pajisur me vare dhe matrapik, nisën shembjen e mureve. Sipas drejtorit të Policisë Bashkiake, prishja me mjete motorike ishte e pamundur, pasi ndërtimi është bërë mes banesave të shumta, madje mbi një ndërtesë ekzistuese njëkatëshe. Kështu, prishja me mjete të rënda do të rrezikonte banesat rrotull dhe pasurinë e mjaft qytetarëve. Gjithsesi, Policia Bashkiake premtoi se brenda një kohe rekord do të pastrohet i gjithë ndërtimi, duke nisur nga muret, soletat dhe më pas skeleti. Ndërkaq, pronari i godinës është dërguar për ndjekje penale.
Pak ditë më parë, Policia Bashkiake bëri ndalimin edhe të një ndërtimi pa leje 5-katësh në zonën e Laprakës. Objekti shumëkatësh është bllokuar ndërsa vijonte puna për ndërtimin e tij. Policia Bashkiake ka ndërhyrë në kushtet e flagrancës duke ndërprerë punimet. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, deklaroi se aksionet do të vijojnë deri në bllokimin e të gjitha ndërtimeve pa leje të evidentuara nga Bashkia e Tiranës dhe se përgjigjja do të jetë e ashpër. Drejtori i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Kombëtar, ka vendosur sekuestrimin e një betoniereje, skelash si dhe të një pompe, objekte të përdorura për ndërtimin pa leje të objektit. “Në të gjitha rastet do të merren të gjitha masat ndaj ndërtimeve pa leje. U bëj thirrje qytetarëve t’i bindjen apelit publik të Bashkisë së Tiranës për të mos ndërtuar pa leje. Nga ana e Policisë Bashkiake, qytetarët do të kenë të gjithë mbështetjen e duhur”, tha drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Në të njëjtën kohë u bë procedimi për kallëzimin e personave, të cilët ndërtonin pallatin pa u pajisur me lejen, si dhe dokumentacionin e caktuar nga ligji. Mësohet se Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka nisur procedurat administrative për vendosjen e gjobës, e cila, sipas ligjit, mund të shkojë deri në 20 milionë lekë. Në të njëjtën zonë, Policia Bashkiake bllokoi punimet edhe të një dyqani buzë rrugës, edhe ky pa leje. Aksionet e policisë kanë qenë të përditshme për të evidentuar ndërtimet pa leje, kur një pjesë e tyre përfituan nga tranzicioni i gjatë pas zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe nisën ndërtimet pa leje.
107 NDERTIME pa leje janë evidentuar nga Policia Bashkiake në ditët e fundit, duke bërë të mundur pezullimin e punës në to. Ndërkaq, aksioni në terren vazhdon dhe prishja e ndërtimeve pa leje do të kryhet çdo ditë.
Apeli
Pak ditë më parë ishte zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha, e cila deklaroi se janë evidentuar dhe pezulluar në gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës ndërtime pa leje. Bashkia e Tiranës u bëri pak ditë më parë thirrje qytetarëve të Tiranës të respektojnë ligjin dhe të mos ndërtojnë jashtë kushteve, ndryshe do të përballen me
Basha pret ambasadorin e BE
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në zyrë ambasadorin e Delegacionit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë së Tiranës, Basha dhe Sekui ndanë së bashku nevojën për të bashkëpunuar në shumë fusha me interes të përbashkët. “Ambasadori i BE-së në Tiranë e uroi z. Basha për detyrën dhe i shprehu mbështetjen e plotë për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta, si në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, mjedisit dhe në promovimin e qytetit. Z. Basha tha se e çmon shumë përkrahjen e Delegacionit të BE-së dhe se është gati të bashkëpunojë ngushtë, në funksion të projekteve, në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Më tej, kryetari i Bashkisë e njohu ambasadorin me prioritetet që ka për përmirësimin e cilësisë së jetës në Tiranë, si dhe projektet për zgjidhjen e problematikës aktuale të qytetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.
Nis prishja e ndërtimeve pa leje për Unazën e Madhe të Tiranës
Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar nisi dje prishjen e ndërtimeve në zonën e Liqenit dhe afër zonës së Kopshtit Botanik, për të liruar vendin në zbatim të projektit të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Sipas të dhënave, faza e parë parashikon shembjen e 29 objekteve, një pjesë e të cilave janë pa leje, ndërsa një pjesë janë me dokumente të rregullta ose në proces legalizimi. Këto të fundit do të dëmshpërblehen në bazë të një vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ka dalë tashmë. Zëvendëskryeinspektori i INUK, Alban Isteri, deklaroi dje se po kryhen ekzekutime të objekteve që janë në trasenë e rrugës që, sipas tij, në këtë mënyrë i hapim rrugë projektit të ndërtimit të unazës së re. Ai shtoi se janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore dhe janë njoftuar të gjithë pronarët e objekteve. Aksioni për shembjen e këtyre objekteve nuk është shoqëruar me incidente dhe pritet të zgjasë dy ditë. Të pranishëm në këtë aksion ishin edhe forcat e policisë së rendit. Këto prishje do të shërbejnë për nisjen e menjëhershme të ndërtimit të nyjës kryesore të kryeqytetit, Unazës së Madhe. Ndërtimi i këtij segmenti ka nisur nga zona e Liqenit Artificial dhe do të përfshihet më tej.
Shërbimet e Bashkisë, Zeneli, drejtori i ri
Taulant Zeneli do të drejtojë Shërbimet e Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku e emëroi atë si drejtor të Përgjithshëm të Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, një drejtori me rëndësi në këtë institucion, e cila ka në varësi disa sektorë të rëndësishëm në punët e përditshme të Bashkisë së Tiranës. Zeneli vjen në këtë post pas eksperiencës së suksesshme në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Politikave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Nga viti 2006, Zeneli ka punuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme te Ujësjellës-Kanalizimeve, ku për një vit ka mbajtur pozicionin e zv.drejtorit të Përgjithshëm dhe drejtor i Projekteve të Huaja. Më pas, ai, për tre vjet e gjysmë ka drejtuar këtë drejtori. Në këto detyra, pjesë e përgjegjësive të tij në këto pozicione ka qenë drejtimi dhe menaxhimi i burimeve financiare dhe humane, si dhe hartimi i politikave në fushën e Ujësjellës-Kanalizimeve.
© Panorama.al











