Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë sot në venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë, ndërsa situata kishte dalë jashtë kontrollit dhe ku sipas Bashkisë, rrezikohej seriozisht një investim jetik për kryeqytetin.
Bashkia njoftoi se ka marrë të gjitha masat për të siguruar një menaxhim korrekt dhe sipas standarteve mjedisore të mbetjeve urbane në Sharrë.
“Gjendja ishte e rëndë. Bashkia mori masa për normalizimin e situatës. Ne riparuam dhe vumë në punë mjetet dhe futëm nën kontroll territorin. Tani kemi një funksionim normal të venddepozitimit të mbetjeve këtu në Sharrë. Bashkia e Tiranës është e angazhuar në shfrytëzimin në mënyrë eficente të aseteve të saj në funksion të ruajtjes së pastërtisë së qytetit dhe respektimit të standarteve mjedisore”, u shpreh sDrejtori i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli.
Në njoftimin e Bashkisë së Tiranës, thuhet se “në Fushën e Sharrës mungonte kontrolli i territorit, dhe kjo zonë ishte kthyer në një vend biznesi për interesa të paligjshme. Gjithashtu, mjetet teknike për shkak të keqpërdorimit dhe neglizhencës ishin jashtë funksionit, çka ka bërë që prej disa muajsh në Sharrë te mos kryhej shtyrja dhe ngjeshja e mbeturinave, duke krijuar një problem të madh për qytetin.
Për implementimin e projektit në Fushën e Sharrës deri më tani janë investuar rreth 3.5 milionë euro.
© Panorama.al











