Bashkia nis punën për rrugën e re te “Bërryli”

Aug 5, 2012 | 11:56

Nisja e punimeve në rrugën e re

Pas shpronësimeve të pronarëve, aksi i ri do të lidhë bulevardin “Bajram Curri” me “Ali Demin”

Bashkia: Do të çlirojë trafikun dhe do të reduktojë nivelin e ndotjes.

Nisin punimet për aksin e ri që do të lidhë rrugën “Ali Demi” me bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë. Pas vendimit për shpronësimin e pronarëve, i është hapur udhë ndërtimit të kësaj rruge që nis në zonën e njohur si “Bërryli”. Nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, me këtë ndërhyrje do të çlirohet trafiku dhe do të reduktohet niveli i ndotjes.
Aksi i ri do të ketë një gjatësi prej 312 metrash, me një gjerësi prej 15 metrash. Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 metra. Trotuaret në të dyja anët e rrugës do të kenë gjerësi 2,5 metra.
“Zonat e gjelbra do të shtrihen në hapësirat midis godinave të banimit dhe trotuareve. Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim dhe do të ndërtohet i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellësit, kanalizime të ujërave dhe ujërave të shiut”, sqaroi Bashkia e Tiranës. Fondi për këtë investim në rrugën “Hasan Sufa” është parashikuar të jetë 40 milionë lekë. “Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet e tokës, të shtëpive dhe objekteve të tjera që preken nga ndërtimi i kësaj rruge”, sqaroi Bashkia. Sipas saj, me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar 11 familje dhe dy të tjera pritet të konfirmojnë dokumentacionin e plotë, në bazë të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.  Shpronësimet janë bërë me vlerën e tregut sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga ZRPP. “Bashkia e Tiranës, krahas vendosmërisë për të ndërtuar dhe rikonstruktuar infrastrukturën e qytetit, do të respektojë çdo pronar duke i kompensuar për çdo centimetër tokë të prekur nga investimet publike”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës. Vetëm pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për çeljen e fondit të shpronësimit të pronarëve të truallit që preken nga ndërtimi i rrugës.

© Panorama.al

Te lidhura