Bashkia, aksion për lirimin e hapësirave publike

Aug 16, 2011 | 17:15
Foto Ilustruese

TIRANE- Inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve kanë ndërmarrë sot një aksion për lirimin e hapësirave që mbahen të bllokuara nga subjekte të ndryshme në mënyrë të paligjshme. Aksioni, i cili do të zgjasë 3 ditë, ka për qëllim  çlirimin e këtyre hapësirave, të cilat do të krijojnë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë.

“Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar. Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkim, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende.

Bashkia njofton se pas verifikimit të dokumentacionit të këtyre subjekteve, rezulton se pjesa më e madhe e tyre, nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qënë i mangët.

© Panorama.al

Te lidhura