Bashkia: Kemi ndërhyrë në 55 shkolla

Aug 30, 2012 | 13:25
Bashkia e Tiranes

Këtë vit shkollor në Tiranë nuk do të ketë mbyllje të shkollave për shkak të problemeve me kushtet e higjienës sanitare. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes numër 3, Alfons Muça, janë bërë ndërhyrje në 55 shkolla dhe vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe dezinfektimit. “Ka përfunduar restaurimi i 52 shkollave, vazhdon përfundimi i shkollës ‘Emin Duraku’ dhe vazhdon puna në shkollën ‘Sandër Prosi’ dhe ‘Greblleshi'”, tha Muça. Sipas tij, do ketë shkolla të cilat do të ndërtohen nga e para në Tiranë me një fond të veçantë. “Bëhet fjalë për shkollën “Servete Maçi” dhe “Ahmet Gashi”, punimet e të cilave pritet të fillojnë rreth muajit nëntor. Këto janë shkollat më problematike, pasi janë tej mase të amortizuara”, tha Muça. Ai shtoi se fondet për ndërtimin e tyre janë planifikuar në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për këtë vit. Pak javë më parë, Drejtoria e Shëndetit Publik konkludoi se 5 shkolla në kryeqytet rrezikonin mbylljen për shkak të kushteve të higjienës dhe infrastrukturës. Pas këtij sinjalizimi, Bashkia e Tiranës mori masat për të përmirësuar kushtet në këto shkolla. Nga sa bëri me dije drejtori i Ndërmarrjes numër 3, Bashkia e Tiranës në këtë fillimviti shkollor po ndërhyn në shkolla edhe me instalimet e sistemit të ngrohjes. Pavarësisht kësaj, në pjesën më të madhe të gjimnazeve të kryeqytetit mësimi do të kryhet me turne pasi mungojnë ambientet.

Arsimi profesional, 15 tekste të reja
Arsimi profesional prej vitesh është prioritet i MASH. Ky dikaster ka prodhuar për këto shkolla tekste speciale, në mënyrë që nxënësit ta kenë më të lehtë të mësuarin. Janë 15 tituj që kanë nisur të shpërndahen. Sipas MASH, kjo është një risi për këto shkolla. “Nxënësit mund t’i blejnë tekstet pranë shkollave në të cilat janë regjistruar, ku mund të gjejnë të afishuara edhe çmimet e tyre. Sipas burimeve nga drejtoritë e shkollave të kryeqytetit, librat më të ngarkuar vazhdojnë të jenë matematika, fizika dhe kimia”, sqarojnë specialistët e MASH. Sipas tyre, janë hapur edhe degë të reja. “Për të nxitur nxënësit, do të ofrohen bursa studimi. Arsimi profesional ka shënuar një zhvillim të madh gjatë këtyre viteve. Për të tërhequr sa më shumë nxënës, duhet bërë promovimi i duhur për të ndërgjegjësuar se orientimi duhet të bëhet sipas kërkesave të tregut të punës”, shprehen specialistët e arsimit profesional në MASH.

© Panorama.al

Te lidhura