Bashkia: Firmat që mbajnë peng hipotekat e shtëpive

Jul 7, 2012 | 14:22

Ndërtuesit mbajnë peng 545 apartamente banimi në Tiranë. Bëhet fjalë për 13 subjekte, të cilat po zvarrisin procesin e hipotekimit të banesave për qyte-tarët. Bashkia e Tiranës ka vendosur që të gjitha këto subjekte, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre, të futen në listën e zezë të këtij institucioni. Do të mbahet një marrëdhënie e kushtëzuar me të deri në përfundim e procesit, sipas ligjit. “Pavarësisht kontaktit të përsëritur nga administrata e Bashkisë së Tiranës, këto subjekte vazhdojnë të mos përmbushin detyrimin e tyre ndaj qytetarëve të Tiranës sipas ligjit”, bëri me dije Bashkia e Tiranës. Sipas këtij institucioni, do të ndiqet deri në fund procesi i hipotekimit të apartamenteve. “Bashkia e Tiranës vazhdon të ndjekë procesin e hipotekimit deri në përfundim të tij. Nga kontaktet ditore me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme rezulton se 6 prej subjekteve që kanë marrë lejet e përdorimit nga Bashkia e Tiranës nuk kanë aplikuar për hipotekim”, sqaroi Bashkia. Deri tani janë pajisur me lejen e përdorimit, për një sipërfaqe prej 445 000 m2, ku përfshihen 2800 apartamente banimi, ambiente tregtimi. Mbi 12 mijë qytetarë janë përfitues të drejtpërdrejtë nga ky proces. “Qytetarët e Tiranës nuk do të mbeten peng i papërgjegjshmërisë së disa subjekteve ndërtuese, të cilat nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar me ligj, ndonëse Bashkia i ka lehtësuar me 50% të gjitha procedurat.
Është një punë voluminoze që po bëhet për të përmbyllur procesin e hipotekimit të të gjitha banesave të pahipotekuara, por të ndërtuara me leje në territorin e Bashkisë së Tiranës”, sqaroi zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës. Drejtuesit e lartë të administratës u kanë bërë thirrje publike këtyre subjekteve të paraqiten pa asnjë vonesë të mëtejshme pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe të bëjnë hipotekimin e këtyre objekteve me një sipërfaqe totale prej 48 000 m2, ku përfshihen edhe 371 apartamente banimi. “Ne u kërkojmë këtyre subjekteve të përmbushin përgjegjësitë që kanë përballë mbi 1800 qytetarë të Tiranës”, bëri me dije Bashkia e Tiranës.

Firmat qe mbajne peng hipotekimin e shtepive

Firmat qe mbajne peng hipotekimin e shtepive
Subjektet që kanë marrë lejet e përdorimit nga Bashkia e Tiranës nuk kanë aplikuar për hipotekim

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura