Bashkia e Tiranës pushon nga detyra 51 inspektorë

Aug 27, 2011 | 11:42

Bashkia e Tiranës pushoi dje nga detyra 51 inspektorë të taksave, me arsyetimin se kishin performancë të dobët në punë, madje kishin lejuar informalitet.Në një njoftim zyrtar për mediat, Bashkia e Tiranës bëri me dije se lirimi nga detyra u bë pas një analize që Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave bëri për 7 muajt e parë të vitit. Sipas kësaj analize, të liruarit nga puna nuk e kanë kryer detyrën siç duhet, nuk kanë bërë kontrolle sipas ligjit, duke çuar në informalitet e deri në rritje të borxhit ndaj buxhetit të Bashkisë së Tiranës. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës vendosi sot (dje) lirimin nga detyra të 51 inspektorëve, nisur nga performanca e ulët dhe favorizimi i informalitetit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka analizuar punën 7-mujore të secilit prej inspektorëve dhe ka konstatuar se të liruarit nga detyra nuk e kanë kryer detyrën duke mos bërë kontrolle sipas ligjit, duke lejuar informalitet, deri në rritje të borxhit ndaj Bashkisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës. Analiza e Bashkisë së Tiranës tregonte më tej se këta punonjës kishin një performancë të ulët në detyrë, duke realizuar kontrolle minimale në punën e tyre në terren, duke sjellë të ardhura të pakta në buxhetin e Bashkisë, shumë herë më pak seç ishte parashikimi. Sipas po kësaj analize, janë vërejtur rezultate të dobëta dhe numër i ulët kontrollesh nga inspektorët e kontrollit operacional, vetëm 4 kontrolle ne 7 muaj për një inspektor kur norma është disa herë më shumë vetëm për një muaj. Nga ana tjetër, shumë prej tyre nuk plotësonin as kriterin për shkollimin që duhet të ketë një inspektor tatimor. Vetë të dhënat e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, pas marrjes së detyrës nga kryetari i ri Lulzim Basha, ishin në nivel tepër të ulët, aq sa mungonin edhe për të paguar pagat. Basha e gjeti buxhetin vetëm me 1.4 milionë dollarë, ndërsa niveli i mbledhjes së të ardhurave nuk ishte më i lartë se 32 për qind. Kjo situatë solli një analizë brenda strukturave që u bë nga Drejtoria e Taksave në Bashkinë e Tiranës, e cila mori edhe vendimin për largimin nga detyra të 51 inspektorëve. Disa prej tyre reaguan dje duke thënë se nuk u pushuan sipas rregullave. Ata pretenduan se duhej të ishin lajmëruar tre muaj para për largimin, ndërsa e cilësuan atë si politik, pasi disa prej tyre kanë qenë të aktivizuar në strukturat e Partisë Socialiste për të numëruar votat apo si anëtarë KZAZ-sh. Gjithsesi, Bashkia e Tiranës këmbënguli se lirimi nga detyra erdhi pas analizës që tregoi një performancë tepër të ulët të punës së tyre, duke motivuar edhe shkarkimin e 51 inspektorëve.

Rritja e çmimeve, Bashkia paralajmëron tregtarët

Kontroll tregjeve për abuzime me ushqimet dhe atë çka u ofrojnë konsumatorëve. Bashkia e Tiranës ka konstatuar këto ditë një sërë shkeljesh. “Janë rreth 20 subjekte, të cilat tregtojnë bombola gazi përkrah artikujve të tjerë ushqimorë dhe joushqimorë, nga të cilat vetëm 3 kanë autorizimin përkatës. Në bashkëpunim me Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit paralajmërojmë se do t’i penalizojmë këto shkelje, nëse subjektet nuk do të respektojnë afatin që u është lënë nga autoritetet deri më datën 1 shtator”, tha dje në një konferencë për shtyp nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panarait. Ai shtoi se strukturat e Drejtorisë së Kontrollit Urban të Bashkisë, kanë evidentuar 24 subjekte, kryesisht tregtarë ambulantë, të cilët tregtojnë pesticide dhe helme në vende të hapura, të pasigurta dhe jashtë kontrollit. “Këtyre tregtarëve, strukturat e Bashkisë u kanë lënë afat deri më 1 shtator për t’u larguar, në të kundërt, ndaj tyre do të merren masa ligjore”, tha Panariti. Ndërkaq, janë verifikuar ditët e fundit disa spekulime me çmimet që ofrojnë subjekte të ndryshme tregtare. Pas kontrollit të ushtruar është konstatuar një diferencë mes çmimeve të shpallura për artikuj dhe shërbime, krahasuar me çmimet që faktikisht u ngarkohen në fatura qytetarëve të Tiranës. “Bashkia u ka kërkuar këtyre subjekteve që brenda muajit gusht të rakordojnë çmimet e shpallura për mallrat dhe shërbimet me faturat që u ngarkohen konsumatorëve. Në të kundërt, nëse nuk respektohet ky afat,  këta operatorë do të përballen me sanksione të parashikuara në ligj. Gjithashtu, Bashkia do të bëjë shpalljen e menjëhershme publike të këtyre njësive dhe personave përgjegjës për këtë sjellje në dëm të konsumatorit kryeqytetas”, tha Panariti.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura