
Denonconi ndërtimet pa leje. Këtë apel ka bërë dje Bashkia e Tiranës për kryeqytetasit. Në dispozicion të tyre është vënë edhe një numër telefoni. “Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që t’i denoncojnë këto raste në këtë numër telefoni: 241 94 65″,tha gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Sipas saj, vetëm gjatë kontrolleve në 72 orët e fundit janë evidentuar dhe pezulluar 67 ndërtime. Aksioni i Policisë Bashkiake do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Zëdhënësja u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat, në të kundërt do të përballen me ligjin. “Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar kontroll në 72 orët e fundit në territorin e kryeqytetit dhe ka evidentuar dhe pezulluar një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje. Në total, numri i ndërtimeve pa leje të konstatuara është 67. Ndërkohë, aksioni i Policisë Bashkiake vazhdon. Në të gjitha rastet e konstatuara, Policia Bashkiake, në zbatim të ligjit, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. Të gjitha rastet e ndërtimit të paligjshëm janë pezulluar. Policia Bashkiake ka konstatuar nga afër gjendjen dhe ka dorëzuar tek qytetarët akt-kontrollet”, tha zëdhënësja e Bashkisë. Ajo apeloi që qytetarët të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje. “Shprehim vendosmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme. U bëjmë thirrje qytetarëve: Mos ndërtoni pa leje. Ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe në çdo rast përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin”, deklaroi zëdhënësja.
PEZULLIMET
Ndërkaq, mësohet se Policia Bashkiake ka ndërmarrë aksione të shumta për të pezulluar punime në ndërtimet pa leje. Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve, por edhe nga kontrollet në terren, inspektorët e kësaj politike kanë bërë disa pezullime në kryeqytet. Dje u bë me dije se ka pasur pezullime, në total 67 ndërtime, në të 11 njësitë bashkiake të vendit. Konkretisht, është pezulluar një ndërtim prapa “Hotel Tiranës” në qendër të qytetit, në zonën e “21 Dhjetorit” apo pranë zonës së “Pazarit të ri”. Policia Bashkiake vijon kontrollet në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës dhe do të marrë masa për çdo ndërtim të nisur pa leje. Ndërkaq, në mënyrë zyrtare është bërë apel që qytetarët të respektojnë ligjin për ndërtimet, ndryshe do të përballen me prishjen e tyre.
PEZULLIME NGA POLICIA BASHKIAKE
U kontrolluan nga grupet e gatshme objektet e ndërtuara pa leje në njësitë bashkiake Nr. 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11, u konstatua se:
U mor njoftim për një konflikt prapa foto “Rrelit” për një ndërtim pa leje në orën 08:30 dhe iu dha për ndjekje inspektorit përgjegjës të rajonit Nr. 2, i cili pasi konstatoi në vend problemin, përpiloi aktkontrollin dhe beri pezullimin e punimeve.
U mor njoftim për një ndërtim pa leje në orën 09:20 tek “Fusha e zezë” tek “21 Dhjetori”, pallati 131, për një shtesë tende, iu dha për ndjekje inspektorit të zonës, i cili pasi konstatoi, raportoi se tenda ishte e përfunduar.
U mor njoftim për një ndërtim pa leje në orën 11:30 tek rruga “Shyqyri Berxulli” tek hotel “Europa”, iu dha për ndjekje inspektorit të zonës, i cili pasi konstatoi në vend, raportoi që u pezulluan punimet.
U mor njoftim nga inspektori i zonës se u pezullua një shtesë kati i parë, 2 ballkone mbrapa kompleksit “Xhura” tek Shtëpia e Rinisë.
Nga verifikimet e bëra në Njësinë Nr. 7, kryheshin punime në “Fushën e Aviacionit”, pallati nr. 2, kati I 6, me konstruksion metalik, u bllokuan punimet me ndihmën e Policisë së Shtetit. U bllokuan materiale ndërtimi nga Policia Bashkiake në njësitë bashkiake Nr. 9,10,11. Nga verifikimet e bëra për ndërtimet pa leje, nuk po kryheshin punime. Raportimet u bënë nga grupi i gatshëm i Komisariatit Nr. 2 të Policisë Bashkiake.
© Panorama.al











