Bashkia bllokon 5-katëshin pa leje

Aug 8, 2011 | 12:25

Policia Bashkiake e Tiranës bllokoi sot një ndërtim pa leje pesëkatësh në zonën e Laprakës, pranë Spitalit Ushtarak. Objekti shumëkatësh është bllokuar ndërsa vijonte puna për ndërtimin e tij.Policia Bashkiake ka ndërhyrë në kushtet e flagrancës duke ndërprerë punimet. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, deklaroi se aksionet do të vijojnë deri në bllokimin e të gjitha ndërtimeve pa leje të evidentuara nga Bashkia e Tiranës dhe se përgjigjja do të jetë e ashpër. Drejtori i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Kombëtar, ka vendosur sekuestrimin e një betoniereje, skelash si dhe të një pompe, objekte të përdorura për ndërtimin pa leje të objektit. “Në të gjitha rastet do të merren të gjitha masat ndaj ndërtimeve pa leje. U bëj thirrje qytetarëve t’i bindjen apelit publik të Bashkisë së Tiranës për të mos ndërtuar pa leje. Nga ana e Policisë Bashkiake, qytetarët do të kenë të gjithë mbështetjen e duhur”, tha drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Në të njëjtën kohë u bë procedimi për kallëzimin e personave, të cilët ndërtonin pallatin pa u pajisur me lejen, si dhe dokumentacionin e caktuar nga ligji. Mësohet se Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka nisur procedurat administrative për vendosjen e gjobës, e cila, sipas ligjit, mund të shkojë deri në 20 milionë lekë. Në të njëjtën zonë, Policia Bashkiake bllokoi punimet edhe të një dyqani buzë rrugës, edhe ky pa leje. Aksionet e policisë kanë qenë të përditshme për të evidentuar ndërtimet pa leje, kur një pjesë e tyre përfituan nga tranzicioni i gjatë pas zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe nisën ndërtimet pa leje.
Pak ditë më parë ishte zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha, e cila deklaroi se janë evidentuar dhe pezulluar në gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës 69 ndërtime pa leje. Bashkia e Tiranës u bëri pak ditë më parë thirrje qytetarëve të Tiranës të respektojnë ligjin dhe të mos ndërtojnë jashtë kushteve, ndryshe do të përballen me forcën e ligjit.

Aksionet

Policia Bashkiake e Tiranës ka nisur aksionet e përditshme për goditjen e ndërtimeve pa leje. Në të gjitha njësitë bashkiake janë vërejtur ndërtime pa leje, shpeshherë shumëkatëshe dhe pa asnjë leje ndërtimi. Është bërë e ditur se poseduesit e tyre do të paditen, ndërsa punimit janë pezulluar. Sipas ligjit do të merren masa për prishjen e tyre.

Apeli publik i Bashkisë së Tiranës
Sapo nisi detyrën e tij si kryebashkiak, Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve që të ndalojnë ndërtimet pa leje. Në një dalje publike, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha, u kërkoi qytetarëve të denoncojnë ndërtimet pa leje. “Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje. Bashkia e Tiranës shpreh vendosmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme. Edhe një herë, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që t’i denoncojnë këto raste në këtë numër telefoni: 2419465. Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve: Mos ndërtoni pa leje! Ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe në çdo rast përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin”, tha Bisha.

© Panorama.al

Te lidhura