
TIRANE- Bashkia e Tiranës ka zbritur sërish në terren, ku i është rikthyer prishjes së ndërtimeve pa leje.
Inspektoriati Ndërtimor i ka dhënë fund një ndërhyrje të paligjshme, në një prej pallateve të zonës së Shallvareve, ndërhyrje e cila ka dëmtuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, duke cënuar jetën e banorëve.
Duke folur për mediat, Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit, Florenc Hoxha theksoi edhe njëherë vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mos lejuar asnjë ndërtim pa leje. Ai tha se do të vazhdohet në ditët e ardhshme me prishjen e objekteve të tjera të jashtëligjshme në këtë zonë dhe jo vetëm.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, të mos ndërtojnë pa leje por t’i drejtohen zyrave përkatëse pranë Bashkisë së Tiranës për të marrë lejen përkatëse. Gjithashtu u kërkojmë atyre, që në të gjithë rastet që ato do të identifikojnë ndërtime pa leje, të bashkëpunojnë me ne, duke na telefonuar ose përmes mesazheve në numrat përkatës që kemi afishuar në të gjithë seksionet pranë Policisë Bashkiake.”- tha Hoxha.
Objekti i shembur sot nga Inspektoriati Ndërtimor kishte bërë ndërhyrje në pjesën e trotuarit, bordurës etj, duke dëmtuar rëndë themelet e pallatit.
© Panorama.al











