Bashkëpunuan në një tentativë vrasje ndaj “kapos” së drogës, SPAK jep pretencën për “Kep Rapin” dhe ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni! Ja sa vite burg u kërkua

Sep 10, 2024 | 10:01
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sot (10 shtator) pretencën për grupin kriminal që kishte planifikuar një atentat ndaj Xhevdet Plakut në vitin 2019. Për 4 anëtarët e grupit, SPAK ka kërkuar 29 vite e 6 muaj burg.

kep rapoi dedan gjoni plaku

Grupi kriminal përbëhej nga Rexhep Rapi, i njohur si ‘Kep Rapi’, nipin e tij Algert Rapin, ish-shefin e krimeve në Policinë e Shtetit Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermenin.

 

Këta persona u arrestuan rreth një vitë më parë për një tentativë vrasje ndaj kreut të grupit te drogës , Xhevdet Plaku, i cili njihet edhe me nofkën “Akili”.

Për ‘Kep Rapin’ SPAK kërkon dënimin e tij me 7.6 vite burg por për shkak te gjykimit të shkurtuar u kërkua dënimi me 5 vite heqje lirie, për Algert Rapin nga 7.4 vite burg u kërkua denimi me 4.8 vite heqje lirie.

E njëjta kërkesë u lexua nga SPAK edhe Dedan Gjonin ish shefin e krimeve ne komisariatin nr e 6 dhe Dejvi Gjermenin per te cilet po ashtu u kërkua denimi me 4.8 vite burg me gjykim te shkurtuar.

Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë.

Por, kush është Xhevdet Plaku?

Xhevdet Plaku, 42-vjeç, njihet si koka e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Itali. Lënda narkotike, kokainë, importohej nga Belgjika dhe Holanda.

Në këtë aktivitet, sipas policisë Italiane, ai përdorte 25 identitete të ndryshme për të mos u kapir nga kontrollet dhe drejtonte organizatën përmes udhëtimeve të shumta që bënte në Amsterdam.

Banda i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë dhe sipas saj kishin edhe emërtimet, sipas markave të botës së luksit. Kokaina më e pastër ishte “Hermes”, pastaj kishte “Lacoste”, “G4”, “Rolls royce” dhe “Play Boy”.

Plaku gjithashtu ka qenë dënuar për një vrasje të kryer shumë vite më parë në Durrës. Gjithashtu ishte akuzuar për një tjetër vrasje, për të cilën u shpall i pafajshëm.

Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, më 24 qershor të vitit 2003, në Lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, Xhevdet Plaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina.

Autori dhe viktima kanë qenë banorë të së njëjtës lagje dhe kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë se Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali, Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se ai kishte të dashur shtetasen Nertila K. Dhe, duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i ka propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj.

Vajza e ka pranuar këtë propozim dhe, në muajin korrik të vitit 2001, Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar Nertilën në Itali, duke ndryshuar destinacionin për të cilin ranë dakord.

E dëmtuara është dërguar në Romë, ku dhe e kanë detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre. Shtetasja Nertila K. është kthyer në Shqipëri në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme.

Gjykata e Durrësit e deklaroi fajtor shtetasin Saimir Sina dhe e dënoi me 1 vit e 6 muaj burg. Në këtë kohë Xhevdet Plaku, pasi është vënë në dijeni të veprimeve të Saimir Sinës ndaj të dashurës së tij, ka vendosur të hakmerret, plan të cilin e ka konkretizuar disa ditë pas daljes së Saimirit nga burgu.

Mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2003, pasi e kishte vëzhguar dhe ruajtur për disa ditë me radhë, Plaku ka shkuar me makinën e tij afër banesës së Sinës, i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga i vëllai dhe disa shokë të tjerë.

I dënuari e ka thirrur viktimën dhe pas një debati të shkurtër me fjalë, në momentin kur ai ka marrë rrugën për t’u larguar, e ka qëlluar tri herë me pistoletën që e mbante pa leje, duke i shkaktuar vdekjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura