Basha: Universitetet private janë pasuri për Tiranën

Jul 20, 2012 | 14:16
Lulzim Basha

Brohoritje, kapela ceremoniale në ajër e krenarë për diplomat që mbajnë në duar. Në këtë atmosferë është zhvilluar dje ceremonia e diplomimit të 1500 studentëve të “Albaninan University” në Pallatin e Kongreseve. Pjesëmarrës në këtë eveniment ishin dhjetëra personalitete akademike, të politikës e shoqërisë civile. Studentët i uroi gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në statusin e një prej të ftuarve specialë të këtij evenimenti. “Universitetet private janë pasuri për qytetin dhe gjithë vendin tonë. Përshëndes me kënaqësi 1500 studentët e diplomuar. Sot është një ditë feste për qytetin e Tiranës”, tha Basha.  Sipas tij, universitetet private i shërbejnë interesit publik për një rini të mirarsimuar. “Tirana ka privilegjin të jetë qyteti i 75 mijë studentëve, dhe të ardhurat e derdhura për arsimimin e të rinjve do t’i kthehen qytetit dhjetëfish. Bashkia do të mbështesë çdo universitet, pavarësisht cilësimit privat apo publik, pasi të gjithë në zemër kanë interesin publik”, tha Basha. Sipas tij, nëpërmjet gjenialitetit të themeluesve, këmbënguljes profesionale, të stafeve të tyre, universitetet që ofrojnë cilësi të mirëfilltë arsimi kanë bërë të mundur një konkurrencë të vërtetë, e cila e çon përpara cilësinë e auditorëve dhe cilësinë e të sapodiplomuarve shqiptarë. “Kjo sot nuk është më luks, por është një domosdoshmëri, sepse sot konkurrojmë në një treg të madh, në një treg të madh që ka standarde europianie dhe kërkesa europiane për cilësinë e të sapodiplomuarve. Në këtë kuadër, partneriteti me të gjitha universitetet pa dallim apo paragjykim i Bashkisë së Tiranës nën drejtimin tim, do të vijë duke u forcuar”, tha Basha. Ai bëri me dije se të gjithë studentët, përfshirë edhe ata të universiteteve private, do të pajisën së shpejti me kartën bashkiake të studentit. “Për të gjithë ata që do të vazhdojnë studimet, ashtu siç kemi nënshkruar me universitetet publike, ashtu shumë shpejt do të nënshkruajmë marrëveshjen edhe me universitetet private, që edhe ju të aplikoni, të merrni kartat e studenti dhe bashkë me to, lehtësirat që ofron qyteti”, tha kreu i Bashkisë. Ai shtoi se Bashkia ka hapur dhe ka bërë plotësisht funksionale zyrën e karrierës për të gjithë të sapodiplomuarit, duke bërë realitet një premtim të para një viti. Sipas Bashës, nëpërmjet kësaj zyre do të shkëmbejmë informacion midis ofertuesve dhe kërkuesve. “Ne kemi bërë realitet premtimin tim përpara një viti, është hapur zyra e karrierës dhe punësimit për të gjithë të sapodiplomuarit në Tiranë. Brenda 12 muajve të ardhshëm do të krijojmë 1500 vende pune për të sapodiplomuarit”, deklaroi Basha. Kryebashkiaku tha se Bashkia ka hapur dhe ka bërë plotësisht funksionale zyrën e karrierës për të gjithë të sapodiplomuarit, duke bërë realitet një premtim të para një viti. Sipas Bashës, nëpërmjet kësaj zyre do të shkëmbejmë informacion midis ofertuesve dhe kërkuesve.

Diplomimi te Histori-Filologjia
Fakulteti i Histori-Filologjisë, gjithashtu organizoi dje ceremoninë e diplomimit të studentëve. Në ceremoninë e zhvilluar nuk munguan urimet për të vijuar më tej në rrugën e dijes dhe kualifikimeve. Të pranishëm në aktivitet ishin rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, si dhe dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Pjesëmarrës gjithashtu ishin pedagogë e dhjetëra prindër, të cilët nuk i kursyen lotët e gëzimit. Urimi më i shpeshtë për të gjithë të sapodilomuarit ishte përshtatshmëria me tregun e punës.

© Panorama.al

Te lidhura