Basha: Ujësjellësi kalon në varësi të Bashkisë së Tiranës

Feb 11, 2012 | 11:05

Basha dje gjatë konsultimeve me grupet e interesit

Nisin konsultimet për planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës.

“Ja projektet për përmirësimin e furnizimit me ujë”

Ndërmarrja e Ujë-sjellës-Kanalizimeve do të kalojë në varësi të Bashkisë së Tiranës. Në kuadër të përmirësimit të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, Bashkia ka gati planin e masave. Sipas kryebashkiakut Lulzim Basha, do të merret opinioni i grupeve të interesit për zhvillimin e një sistemi kërkesë-ofertë të furnizimit me ujë, që t’i përgjigjet zhvillimit urban të qytetit. “Diskutim, i cili bëhet jashtëzakonisht relevant, në kohën kur ne planifikojmë t’i paraqesim Këshillit Bashkiak, në mbledhjen e ardhshme, marrjen përsipër të përgjegjësive për furnizimin me ujë nga Bashkia e Tiranës, apo thënë ndryshe, përgjegjësinë e procesit të transferimit të pronësisë dhe përgjegjësisë për Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve tek aksionerët, tek asambleja  e aksionerëve, ku Bashkia e Tiranës me 72.5% është, natyrisht, aksioneri kryesor dhe vendimmarrës”, tha Basha. Këto deklarata ai i bëri dje gjatë nisjes së konsultimeve me grupet e interesit për planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës. Sipas tij, po shihen mundësitë e një sistemi të ndarë të  kanalizimeve, nga ai i ujësjellësit, ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe procesi i trajtimit. “Tirana sot nuk ka një impiant trajtimi të ujërave të zeza dhe niveli i përpunimit dhe trajtimit të tyre është zero. Po shihet mundësia e ndërtimit të stacioneve të pompimit, për t’u dhënë zgjidhje, sidomos zonave më të ulëta të qytetit”, tha Basha. Ai shtoi se në fushën e menaxhimit të mbetjeve, opsionet për të cilat qytetarët do të vendosin kanë të bëjnë me  mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. “Po konsiderojmë mundësinë e ndërtimit të një landfilldi i ri, përderisa në kushtet aktuale, ai i Sharrës nuk ka më shumë se 3-5 vjet jetëgjatësi, apo duhet të synojmë teknologjinë ‘Waste-to-Energy’, si rekomandimi numër një i Komisionit të BE-së në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane”, tha kryebashkiaku. Sipas tij, plani urbanistik, që pritet të përfundojë për disa muaj, përfshin pajisjen me një rrjet parqesh, duke përfshirë edhe parqe rajonale përtej vijës së verdhë. Po kështu, ka për synim përmirësimin e korridoreve të gjelbra nëpërmjet ndërhyrjeve të dedikuara, duke synuar që këto korridore dhe zona e gjelbër e Tiranës të kthehet në një realitet të pandërprerë brenda dhe jashtë qytetit, të mirëprojektuar nga qendra e qytetit deri në Farkë apo Paskuqan.

Konsultimet me qytetarët
Sipas kryebashkiakut, do të linçohen një sërë konsultimesh me grupet e interesit, por, mbi të gjitha, me qytetarët. “Fillimi i sotëm është një fillim i ngushtë, ndonëse unë mirëpres pjesëmarrjen e gjerë të aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të Bashkisë së Tiranës, por konsultimet do të arrijnë nivelin e tyre të plotë dhe do të zbresin në nivelin e qytetarëve”, tha Basha. Ai theksoi se do t’i qëndrojë filozofisë së re që po aplikohet, ku zëri i qytetarëve të dëgjohet plotësisht në këtë proces dhe ata të jenë pjesë integrale e vendimmarrjes për të gjitha projektet.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura