Përpara qindra simpatizantëve të Partisë Demokratike, kandidati fitues i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi se u arrit fitorja e numërimit të çdo vote.Basha tha para simpatizantëve demokratë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se do të vijojë sërish të presë vendimin e institucioneve deri në fund. “Para pak orësh, Kolegji Zgjedhor mori një vendim te rëndësishëm, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar çdo votë. Në pritje të certifikimit të rezultatit final dhe në respekt të plotë të tij, unë dua të them vetëm pak fjalë. Më vjen shumë mirë që çdo votë u numërua në rregull, sipas parimeve të demokracisë dhe me një transparencë të admirueshme dhe të panjohur deri më sot. Kjo është fitorja jonë më e madhe”, tha Basha. Ai falënderoi qytetarët, duke shprehur edhe respekt ndaj të drejtës së tyre për të festuar, por u bëri thirrje që të dëshmojnë qytetari. Sipas tij, të gjithë duhet të presin vendimin përfundimtar të institucioneve për certifikimin e rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Basha falënderoi edhe qytetarët që nuk votuan për të si dhe për durimin e tyre për të pritur vendimin e institucioneve për garën e Tiranës. “Falënderoj gjithë qytetarët, nëse votuan për mua, apo jo, për durimin dhe qytetarinë me të cilën po presin përfundimin e këtij procesi. Duke respektuar të drejtën tuaj legjitime për të festuar, ju bëj thirrje që të dëshmoni qytetari, respekt ndaj ligjit dhe institucioneve deri në shpalljen përfundimtare të rezultatit”, tha Basha. Kandidati i PD-së u shpreh i lumtur për këtë rezultat, por duke thënë se zëri i çdo qytetari u dëgjua. Sipas tij, kjo ka qenë beteja më e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve. “Sonte jam shumë i lumtur, sepse e gjithë fushata jonë ka pasur një motiv: dëgjimin e zërit të qytetarëve. Sepse askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon zërin dhe problemet tuaja. Dhe e gjithë kjo betejë ka qenë pikërisht për këtë: Që zëri juaj të dëgjohej”, tha Basha përpara simpatizantëve të PD-së, të cilët ishin mbledhur të festonin përpara selisë.
ERALD KAPRI











