
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, takoi dje në zyrën e tij sopranon e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, me të cilën gjeti mirëkuptim të plotë në lidhje me dy projekte të rëndësishme kulturore. Sipas njoftimit zyrtar dhe prononcimit për mediat, Basha ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur idenë e sopranos me famë botërore, për ngritjen e një shkolle operistike në Tiranë, për promovimin e talenteve të reja. Ky projekt është një ofertë e rajonit të Emilio Romanios në Itali dhe do të kurohet nga profesorë italianë. “Bashkia do të japë mbështetje të plotë për këtë iniciativë”, tha Basha, duke shprehur kënaqësinë që gjeti pëlqimin e sopranos për ngritjen në Tiranë të një foleje për artistët shqiptarë që janë tashmë yje të skenës botërore. “Jemi gati të ngremë në Tiranë një fole të yjeve shqiptare të artit dhe skenës, në mënyrë që ata të mblidhen këtu të paktën një herë në vit, duke kontribuar që qyteti ynë të kthehet në një stacion të rëndësishëm dhe një atraksion për artin, turizmin etj. Znj. Jaho erdhi me një propozim konkret, propozim për të ngritur një shkollë operistike për evidentimin dhe trajnimin e talentit të ri shqiptar me mjeshtrit me të mirë të muzikës dhe menaxhimit të muzikës operistike nga fqinjë tanë italianë”, u shpreh Basha. Sopranoja e njohur tha se ishte e kënaqur që mbështetje të tillë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe theksoi rëndësinë që kanë këto projekte kulturore. “E vlerësoj shumë mbështetjen që gjeta për ngritjen e një shkolle operistike, pasi kjo do të ndihmojë në promovimin e shumë të rinjve të talentuar dhe jam dakord për ngritjen e folesë për artistët shqiptarë që kanë sukses në botë”, u deklaroi Jaho.
Ermonela Jaho ne Shqiperi
Sopranoja e njohura shqiptare, Ermonela Jaho, ndodhet në Shqipëri. Me një famë ndërkombëtare dhe tepër e kërkuar në skenat e huaja operistike, Jaho kërkon tashmë të japë një kontribut më tepër për talentet e reja shqiptare. Në lidhje me këto, ajo i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, mbështetje për hapjen e një shkolle operistike në Tiranë, me mbështetjen e artistëve dhe menaxherëve më në zë të Italisë. “E vlerësoj shumë mbështetjen që gjeta për ngritjen e një shkolle operistike, pasi kjo do të ndihmojë në promovimin e shumë të rinjve të talentuar”, tha Jaho pas takimit me Bashën.











